Rusia e sheh Britaninë e Madhe si një nga “objektivët kryesorë” në perëndim. Lajmi është konfirmuar nga raporti më i fundit për Rusinë i përgatitur nga Komiteti britanik për Inteligjencën dhe Sigurinë, ISC, shkruan BBC.
Raporti i shumëpritur sqaron se influenca e Rusisë në Mbretërinë e Bashkuar, tashmë konsiderohet si një normalitet i ri. Gjithashtu qeveritë e mëparshme britanike janë akuzuar se kanë pritur krahëhapur oligarkët rusë në vend.
Sipas këtij raporti kërkohet një “reagim i menjëhershëm” për të ndihmuar shërbimet e inteligjencës që të ndalojnë këtë “rival shumë të aftë”
Por dhe qeveria aktuale është kritikuar pasi raporti duhej të ishte bërë publik shumë më herët. Dauning Street akuzohet vecanërisht se ka penguar publikimin e raportit për shkak të zgjedhjeve të muajit dhjetor në vend, dhe pasojave që mund të kishte shkaktuar. Por qeveria britanike ka mohuar akuzat.
Pavarësisht mohimit, një nga anëtarët e komitetit të ISC-së, Kevan Jones, iu drejtua qartë kryeministrit Boris Johnson duke thënë se ai nuk kishte pasur asnjë arsye për të shtyrë firmosjen për publikimin e këtij raporti, raporton abcnews.al
Hetimet e komitetit të Inteligjencës dhe Sigurisë mbulojnë një sërë temash, përfshirë fushatat e dezinformimit, sulmet kibernetike dhe tërheqjen e emigrantëve rusë nga territori britanik.
Por disa nga detajet “të rëndësisë së veçantë dhe shumë delikatë” nuk do të publikohen me shqetësimin se Rusia mund t’i përdorë për të kërcënuar Mbretërinë e Bashkuar, raporton abcnews.al
Raporti thekson se Britania e madhe ishte “në mënyrë të qartë një objektiv” për fushatat e keqinformimit në kohë zgjedhjesh, por çështja konsiderohej si një “patate e nxehtë” – sa që asnjë organizatë nuk e merrte përsipër përpjekjen për ta ndaluar.
Një tjetër anëtar i komitetit të ISC-së, Stjuart Hosie tha se askush nga qeveria britanike nuk pranonte të prekte çështjen e ndërhyrjeve ruse dhe asnjë nuk e dinte nëse Rusia ishte përpjekur të ndërhynte në referendumin e 2016-ës, pasi “askush nga ata nuk donte ta dinte”.
Ai u tha gazetarëve se nuk ka pasur shënime për ndërhyrjen e Rusisë në referendumin për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, dhe asnjeri nuk dëshironte të futej në thellësira të panjohura. Por kjo është në kontrast të fortë me reagimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016.
“Duhej të kishte pasur shënime dhe vlerësime të ndërhyrjeve të Rusisë në referendumin për daljen e vendit nga Bashkimi Europian, dhe duhet të ketë dhe tani, pasi opinionit publik i duhen thënë përfundimet e këtyre vlerësimeve”, përfundoi ai./abcnews.al