Kubë, ikën lidershipi “Castro”, por ideologjia mbetet

schedule17:47 - 19 Prill, 2018

schedule 17:47 - 19 Prill, 2018

Miguel Diaz Canel ka marrë të enjten detyrën e presidentit të ri të Kubës, duke i dhënë fund epokës Castro. Por pavarësisht rrokadës së pushtetit, duket se lideri i ri do të ndjekë ideologjinë e vjetër të familjes që udhëhoqi vendin që nga viti 1959.

Miguel Diaz Canel është betuar të enjten si presidenti i ri i Kubës, duke zëvendësuar në këtë post Raul Castron, i cili mori pushtetin e trashëguar nga vëllai, Fidel, në vitin 2006. Diaz Canel hyri në dhomën e Asamblesë Kombëtare, organi legjislativ i Kubës, i shoqëruar nga Raul, lëvizje kjo e komentuar në media si një mesazh i qartë se kalimi i pushtetit nuk duhet të kishte kontestime. 56-vjeçari, i cili në pesë vitet e fundit ka qenë zëvendës president i ishullit, u votua nga 605 anëtarët e Asamblesë, edhe pse i mjaftonte vota e vetme e “udhëheqësit shpirtëror” të tij. Kjo është hera e parë që nga revolucioni i vitit 1959 që në krye të shtetit nuk është më një Castro. Por pavarësisht kësaj, lideri i ri ka pak gjasa të ndryshojë kurs politik. Në fjalimin e përurimit, Diaz Canel tha se mandati që ka marrë do të ketë si synim vazhdimin e revolucionit kubanez në një moment historik. Gjithashtu, “Politika e jashtme e Kubës do të mbetet e paalternuar dhe çdo ndryshim i nevojshëm do të vendoset nga populli kubanez”, tha Diaz Canel. Ai theksoi se në Kubë nuk do të ketë vend për ata që synojnë ringjalljen e kapitalizmit dhe shtoi se ndryshimet do të jenë graduale dhe në përputhje me reformat e nisura nga Raul Castro. Por pavarësisht fjalimit, i konsideruar një lloj garancie kundrejt ligjvënësve, lideri i ri duket se nuk do ta ketë të lehtë mandatin e tij të parë. Atij do t’i duhet të përballet me një vend ekonomikisht të rraskapitur dhe me moshën e re që pret me padurim ndryshimin në jetën e përditshme. Gjithashtu, një tjetër detyrë komplekse do të jetë qasja ndaj situatës në Venezuelë, një aleat historik i Kubës, si dhe kursi i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara gjatë presidencës Trump. /abcnews.al