Krichbaum: Shqipëria të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar

schedule14:25 - 18 Prill, 2018

schedule 14:25 - 18 Prill, 2018

Kryetari i komisionit parlamentar në Gjermani për çështjet e Bashkimit Europian thotë se Shqipëria duhet të luftojë me vendosmëri korrupsionin dhe krimin e organizuar. Gjithashtu Krichbaum nënvizon se do të merren parasysh disa raporte për votën e Gjermanisë për hapjen e negociatave.

Ndërsa Komisioni i Europian prezantoi raportin e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku rekomandonte fillimin e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë, Berlini shprehet më i rezevuar. Kryetari i komisionit parlamentar për çështjet e Bashkimit Europian, Gunther Krichbaum, foli për versionin shqip të Deutsche Welle dhe tha se rekomandimi i komisionit nuk do të jetë dokumenti i vetëm që do të merret parasysh para se Bundestagu të miratojë hapjen e negociatave:

Gunther Krichbaum, kryetari i komisionit parlamentar për Çështjet e Bashkimit Europian: “Nuk mjafton vetëm rekomandimi i Komisionit të BE-së për hapjen e kapitujve të anëtarësimit. Ne si Komision i Europës, por edhe unë personalisht dua të konsultoj edhe raportet e tjera për të marr këtë vendim, si për shembull raportin e Transparency International, raportin e world Bank dhe raporte të tjera ndërkombëtare”.

Ai thotë se do të verifikojë nëse nga Nëntori i 2016-s e deri në Prill të 2018-s ka pasur përmirësim thelbësor. Gjithashtu parashtron dhe disa kërkesa.

Gunther Krichbaum: “Mesazhi ynë është i njëjtë për të gjithë. Duhen implementuar reformat, sepse ato nuk bëhen për të na bërë ne në Berlin një favor, por reformat bëhen për të çuar vendin përpara. Ndaj unë pres në këtë drejtim një luftim më të vendosur të korrupsionit, të krimit të organizuar, sigurisht nevojiten edhe reformat ekonomike, kështu që ka ende shumë punë”.

Ndërkohë, vota e gjermanisë lidhur me hapjen e negociatave me Shqipërinë, sipas Deutsche Welle, do të mësohet javën e ardhshme, kur në Berlin, kancelarja Angela Merkel do të presë kryeministrin Edi Rama./abcnews.al