Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas marrjes së rekomandimit nga KE për çeljen e negociatave. Për opozitarin Basha sot nuk është momenti për të festuar, por për të punuar. Përmes një postimi në facebook kreu i selisë blu shprehet se: “Disa nga vendet kryesore Europiane janë skeptikë për Shqipërinë, dhe kërkojnë arritje dhe prova të vërteta, veçanërisht në shtetin e së drejtës, luftën kundër krimit dhe korrupsionit”.
Reagimi i plotë i Lulzim Bashës në facebook
Rekomandimi i Komisionit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë është një vendim i rëndësishëm që i paraprin takimit të Këshillit Europian në 28-29 qershor 2018, kur vendet anëtare do të vendosin për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Para së gjithash, ai është shprehje e vullnetit politik të BE-së për të mbështetur aspiratën europiane të Shqipërisë.
Por sot nuk është momenti për të festuar, por për të punuar. Disa nga vendet kryesore Europiane janë skeptikë për Shqipërinë, dhe kërkojnë arritje dhe prova të vërteta, veçanërisht në shtetin e së drejtës, luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Një nga këto vende është Gjermania, parlamenti i së cilës është ende i pavendosur për qëndrimin ndaj Shqipërisë. Sot kam zhvilluar takime të shumta me parlamentarë dhe funksionarë të qeverisë gjermane, në të cilat kam argumentuar pro hapjes së negociatave si një hap i rëndësishëm në vetvete për të forcuar demokracinë, shtetin ligjor dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Zhvillova seancë dëgjimore me deputetët e grupit më të madh parlamentar gjerman CDU/CSU, dhe me anëtarët të Komisionit për Çështjet Europiane dhe të Politikës së Jashtme. Pata takime të vecanta me Johann Ëadephul, Nënkryetar i Grupit Parlamentar CDU/CSU dhe Kryetar i Grupit të Punës për Ballkanin, me Gunther Krichbaum, Kryetarin e Komisionit për Çështje Europiane; me Raporterin e CDU/CSU për Shqipërinë Thorsten Frei, me Këshilltarin e Grupit CDU/CSU për punët e Jashtme dhe sigurinë Joachim Falenski. Takime të rëndësishme zhvillova edhe me përfaqësues të lartë të qeverisë dhe në kancelarinë gjermane ku u prita nga Këshilltari i Kancelares Merkel për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Dr. Jan Hecker.
Shpresoj që këto takime të kenë kontribuar sadopak që qeveria gjermane dhe Bundestagu të mbështesë dhe votojë pro hapjes së negociatave, duke i hapur rrugën votës pro të Gjermanisë në qershor. Sikurse shpresoj që edhe Franca dhe Hollanda do të përqafojnë aspiratën e madhe të shqiptarëve për të qënë pjesë e BE-së. /abcnews.al