Nga puna si pjatalarës dhe ndihmës kuzhine, te drejtimi i një biznesi me 7 piceri dhe 128 punonjës. Kjo është historia e vëllezërve shqiptarë Mirsad dhe Denisi Malja, të cilët kanë ndërtuar në Itali suksesin e tyre me “Pizzeria Vulcano”. Historia nisi me Denisin në Itali, ndërsa Mirsadi iu bashkua në vitin 2011. Në fillim, asnjëri prej tyre nuk kishte eksperiencë me picën, por puna dhe këmbëngulja i çuan drejt hapjes së restorantit të tyre të parë.
Sot, “Pizzeria Vulcano”, me qendër në Cinisello Balsamo, numëron shtatë pika dhe është kthyer në një histori suksesi të ndërtuar hap pas hapi. Por pas këtij suksesi qëndron edhe një filozofi e qartë në marrëdhënien me punonjësit. Vëllezërit Malja tregojnë se kanë marrë mësime nga pronarët e këqij me të cilët janë përballur gjatë rrugëtimit të tyre dhe kanë zgjedhur të sillen ndryshe me stafin.
Dashuria për picën lindi falë Francesco Crifò, një picajol sicilian që u mësoi pasionin dhe teknikën kur ata ishin ende shumë të rinj. Suksesi më i fundit erdhi në Kampionatin Europian të Picës 2025, ku “Vulcano Milano” u rendit në vendin e katërt në Europë me picën “Marinara 5.0”, një krijim i Mirsad Maljes.
Në garë morën pjesë picajolë që përfaqësonin 16 vende europiane, ndërsa rezultati vlerësoi veçanërisht teknikën dhe brumin “Made in Vulcano”. “Marinara 5.0” është një version i rishikuar i një recete klasike dhe përmban tre lloje salcash: salcë të tymosur, pluhur domatesh dhe paté me hudhra të zeza.
Sekreti, sipas Mirsadit, nis që te brumi, i cili përgatitet në mënyrë të njëjtë për të shtatë restorantet dhe nën mbikëqyrjen e tyre. Vëmendje e veçantë i kushtohet cilësisë së lëndës së parë, inovacionit dhe produkteve italiane. Menuja ndryshon sipas stinëve, duke ruajtur njëkohësisht picat tradicionale dhe duke sjellë receta të reja për klientët.
Së fundmi, “Vulcano” ka marrë edhe vlerësimin “SaporiAmo Maestri della Pizza”, që lidhet me përdorimin ekskluziv të produkteve italiane. Nga pjatalarës në sipërmarrës, nga një restorant i vogël në shtatë pika dhe nga mungesa e eksperiencës në picë te vendi i katërt në Europë, historia e vëllezërve Malja është një tjetër dëshmi e një suksesi shqiptar të ndërtuar me punë, pasion dhe këmbëngulje./abcnews.al

