Serge Aurier e zhvilloi të plotë ndeshjen derbi kundër Arsenalit, sfidë që u fitua 2-1 nga Tottenham, dhe në fund të saj festoi gjatë me shokët e skuadrës. Gëzimi i madh i 27-vjeçarit është ndërprerë në mes mëngjesin e sotëm.
Mbrojtësi i djathtë i Spurs dhe i Bregut të Fildishtë (60 ndeshje me kombëtaren afrikane) u zgjua me një lajm që nuk do të donte ta dëgjonte kurrë. Christopher, vëllai i tij një vit më i vogël kishte humbur jetën.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 5:00 të mëngjesit në Tuluzë të Francës, aty ku Christopher aktivizohej me skuadrën e Toulouse Rodeo (divizioni i pestë i futbollit francez). Europe 1 raporton se një sherr ka ndodhur në një lokal nate dhe afrikani është qëlluar me armë në stomak.
Autori ndodhet në arrati dhe policia po punon për ta kapur. Një ngjarje e rëndë për lojtarin afrikan, vëllai i të cilit kishte provuar disa eksperienca te Lens dhe Brentford në Angli. /abcnews.al