Një person humbi jetën dhe një tjetër u plagos rëndë në një aksident në dalje të tunelit në drejtim Elbasan-Tiranë. Nga aksidenti ka humbur jetën gruaja, kurse i plagosur rëndë në spital ndodhet burri, i cili po drejtonte makinën.
Sapo lanë pas tunelin e Krrabës dhe morën drejtimin për në Tiranë, makina me të cilën po udhëtonin burrë e grua, doli nga rruga dhe përfundoi më tepër se 15 metra poshtë në humnerë.
Gruaja 55 vjeçe Xh,. G humbi jetën dy orë më pas në spital, kurse bashkëshorti i saj, i cili ishte edhe drejtuesi i mjetit, ndodhet nën mjekim intensiv në spitalin e Traumës në Tiranë.
Aksidenti ndodhi në rrugën e vjetër Elbasan – Tiranë, aty ku është devijuar qarkullimi për shkak punimeve në autostradë.
Ishin udhëtarët e tjerë, ata që njoftuan policinë, e cila mundi t’i nxjerrë burrë e grua në kohë, por pa mundur t’i shpëtojë jetën njërit.
Dyshohet që makina është futur me shpejtësi në kthesë, e njohur si nga më të rrezikshmet përgjatë segmentit.
Madje barrierat mbrojtese ishin shkatërruar më parë, pasi aty, të tjera mjete kanë përfunduar poshtë në humnerë.
E njohur si kthesa pranë kafes së Kiut, ka vite që merr jetë njerëzish, megjithatë së fundmi, kjo rrugë u bë sërish mundësia e vetme e lidhjes së juglindjes me Tiranën. Punimet për përfundimin e autostradës Tiranë-Elbasan nuk dihen. /abcnews.al