Barcelona vendos rekord të ri në Spanjë

schedule09:16 - 15 Prill, 2018

schedule 09:16 - 15 Prill, 2018

Barcelona vendosi një rekord të të ri në kampionatin spanjoll, pas fitores ndaj Valencias. Skuadra katalanase e la pas shpejt dështimin e madh në Ligën e Kampionëve.
Tridhjetekatër vjet më parë, një portier gabonte kështu.
Ishte Luis Arkonada i Spanjës përballë Mishel Platinisë së Francës, në finalen e Europianit në 1984, ndërsa tani i takoi numrit 1 të Barcelonës që të gabonte njëlloj.
Mark-Andre Ter Shtegen thuajse e priti penalltinë e gjuajtur nga kapiteni i Valencias, Pareho, në minutat e fundit të ndeshjes në “Kamp Nou”, por ashtu si Arkonadës, topi i kaloi nën trup dhe përfundoi brenda portës.
Gjithsesi, kjo ngjashmëri e hidhur ishte e vetmja notë negative për katalanasit në javën e 32-të të ligës spanjolle.
Barcelona la pas eleminimin e rëndë nga Championsi në mesjavë, dhe këtë e bëri në mënyrën më të mirë, duke vendosur një rekord të ri.
Mbushi 39 ndeshje radhazi në kampionat pa pësuar humbje, duke lënë pas rekordin e mëparshëm me 38 takime të Sociedadit.
Lionel Mesi nuk shënoi, por suksesi 2-1 u arrit me rrjetat e Luis Suarezit dhe Samuel Umtitisë, ndërsa ra në sy loja shumë e mirë e brazilianit Kutinjo, që nuk luajti dot në Romë për Championsin, pasi nuk e lejon rregullorja.
Nëse ai do të kishte qenë në fushë, ndoshta përfundimi do të kishte qenë tjetër.
Skuadra e trajnerit Ernesto Valverde hodhi edhe një hap tjetër drejt fitores së titullit kampion duke arritur në 82 pikë pas 32 javëve të luajtura, 16 më shumë sesa Atletiko që nuk e ka luajtur ende ndeshjen e vet.
Për më tepër, Barça mbetet ende e pathyer në La Liga, dhe nëse e mbyll sezonin pa humbje, do të vendosë një rekord të ri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!