Koronavirusi i ka marrë jetën një veterani të UÇK-së në Kosovë. Komuna e Malishevës ka njoftuar se mbrëmë ka ndërruar jetë veterani i luftës, Mehmet Kastrati nga fshati Maxharrë, i cili ishte prekur nga virusi COVID-19.
Në njoftimin e bërë për media nga Komuna e Malishevës thuhet se i ndjeri ishte i shtruar në njërën prej klinikave në QKUK.
“Lajmin e ka konfirmuar familja e të ndjerit, menjëherë pasi mjekët i kanë njoftuar për vdekjen e familjarit”, thuhet në njoftim.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i ka shprehur ngushëllime familjes Kastrati dhe të gjithë bashkëluftëtarëve.
“I ndjeri ka vdekur menjëherë pasi IKSHPK i ka publikuar rezultatet e analizave të djeshme për rastet e prekura me COVID-19. Vdekja e mbrëmshme, e regjistron rastin e tretë të vdekjes në Komunën e Malishevës, të cilët kanë qenë të prekur edhe me COVID-19”, vijon njoftimi.
Ditën e djeshme në Kosovë janë konfirmuar edhe 207 raste të reja pozitive me COVID-19, duke çuar në 4 mijë e 307 numrin e personave të infektuar me virus nga fillimi i pandemisë.


