Me hapjen e transportit publik, rreziku për t’u infektuar me koronavirus është shumë i lartë. Ekspertët kanë parashtruar disa rregulla që duhet të ndiqen në mënyrë që të shmanget sa më shumë të jetë e mundur infektimi.
Bernard Camins, profesor i sëmundjeve infektive dhe Amira Roess, një profesore e mjekësisë shpjeguan disa këshilla për Business Insider se si të shmangim rreziqet që vijnë gjatë udhëtimit në transportin publik, shkruan abcnews.al.
Dezinfektoni dhe lani duart – Duhet të mbani gjithmonë një dezinfektues me vete për ta përdorur pasi të përdorni transportin publik. Avisheh Forouzesh, specialist i sëmundjeve infektive thotë se: “Nëse nuk keni mundësi të lani duart menjëherë me sapun dhe ujë, përdorni një dezinfektues me bazë alkoolin. Është një veprim i thjeshtë që të gjithë mund ta bëjnë ”.
Mos përdorni pajisjet personale teksa ndodheni në urban – Pavarësisht se është shumë e vështirë të shmangni sa më shumë përdorimin e telefonit teksa udhëtoni me urban, është më mirë të tregoheni të kujdesshëm. Në rast të përdorimit të detyrueshëm, është ende e këshillueshme që të pastroni me kujdes ekranin pasi të dilni jashtë.
Mos prekni sytë, hundën dhe gojën – Është një nga ato rregulla që është përsëritur që nga fillimi i kësaj epidemie, por që tani më shumë se kurrë, duhet të merret në konsideratë.
Mos hani ose pini në transportin publik – Nuk duhet të hani për shkak se në këtë mënyrë rritet mundësia që të prekni fytyrën. Nëse dikush kollitet, do të ishte mirë të zhvendoseni sa më shumë që të jetë e mundur. Por, nëse hapësirat nuk e lejojnë atë, thjesht kthimi pas mund të jetë një zgjidhje e mirë.
Dezinfektoni çantën – Sidomos nëse e vendosni në tokë ose nëse bie në kontakt me ndonjë sipërfaqe të transportit publik do të ishte mirë që ta dezinfektoni. /abcnews.al/