Të bësh art me tel bari, Elton Shkurta flet për pasionin e veçantë

schedule10:24 - 8 Korrik, 2020

schedule 10:24 - 8 Korrik, 2020

Një pasion që mbush shpirtin dhe ngroh xhepin. Edhe nga një fill teli mund të bësh art. Ky është rasti i Elton Shkurtës. Ai bën disa punime shumë të vecanta me fill teli bari.  Punime të tilla Eltonit i marrin nga disa orë në disa ditë, por e rëndësishme sipas tij mbetet kreativiteti. Për bazamentin e punimeve, Eltoni ka përdorur që nga dërrasat e vjetra të mobiljeve e deri te drunjtë e papërpunuar që ai i gjen në natyrë.

Pritja e ëmbël e një vajze e ka frymëzuar për një ndër punët e tij më të dashura, një punim ku një djalë i puth barkun nënës së fëmijës së tij. “Këtë punë e kam bërë pasi kam marrë vesh që do të bëhesha me një vajzë. Është punë personale ia kam dhuruar bashkëshortes dhe e mbajmë për dekor në shtëpi.”, thotë ai.

Ndër punimet e tjera që bie më shumë në sy është pikërisht një fytyrë njerëzore e ndërtuar me mijëra kunja dhëmbësh.  “Më janë dashur rreth 9000 kunja dhëmbësh për ta realizuar dhe kërkon edhe më shumë për tu mbaruar e gjitha. Gjatë karantinës kam punuar më shumë se kisha më shumë kohë, por do shumë durim.”

Pasionin për këtë lloj arti Eltoni e zbuloi rreth një vit më parë, por pak nga pak ai po e kthen në një biznes të mirëfilltë. Shpesh frymëzimit personal ia lënë lënë vendin edhe porositë. Një makinë është porosia që do t’ia marrë tani Eltonit orët e ardhshme. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!