KPK shkarkon gjyqtarin Besim Trezhnjeva, nuk justifikoi pasurinë

schedule09:26 - 13 Prill, 2018

schedule 09:26 - 13 Prill, 2018

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra gjyqtarin e Apelit të Durrësit, Besim Trezhnjeva. Sipas Komisionit të Vettingu, Trezhnjeva nuk justifikoi në burime të ligjshme pasurinë e tij. Vendimi u konsiderua i padrejtë nga avokati i tij, i cili tha se do ta ankimojë në Kolegjin e Apelimit.

Gjyqtari i Apelit të Durrësit, Besim Trezhnjeva, nuk mundi t’i kalojë filtrat e procesit të vetingut.

“Trupa gjykuese vendosi të shkakrojë nga detyra besim Trezhnjeva, gjyqtar i Apelit Durrës”.

Vendimi i Komisionit për largimin e tij nga sistemi gjyqësor u bazua vetëm në një nga tre kriteret që duhet të plotësojnë gjyqtarët.

 “Rezultatet e hetimit vetëm për kriterin e pasurisë janë të mjaftueshme për rivlerësimin përfundimtar të subjektit, Besim Trezhnjeva”.

Gjyqtari Trezhnjeva nuk ishte i pranishëm gjatë shpalljes së vendimit. Avokati i tij, Fatmir Braka tha se do t’i drejtohet Kolegjit të Apelimit.

“Ka një vlerësim të fundit të komisionit që thotë që ka diferenca, dhe njëkohësit ekspertim të kryer nga ekspertë kontabël, me të cilën shifrat një diametralisht të kundërta. Neve kërkuam që të bëhej ekspertimi që ishte gjëja më minimale për një proces të rregullt që quhet sot rëndom, ligjor, të na i pranonte Komisioni. Nuk na i pranoi, kështu që vendimi na u duk i padrejtë, i parregullt. Këto janë incidente me pasoja për të ardhmen e për gjyqtarët e tjerë ”.

Pas seancës dëgjimore të së mërkurës Trezhnjeva tha se pasuria e tij ishte e ligjshme e siguruar nga puna e tij,bashkëshortes dhe vajzës, por se llogaritja e saj nga komisioni nuk ishte e saktë.

Sipas Komisionit të Vettingut, gjyqtari nuk justifikonte një pasuri prej gati 20 milionë lekësh. Mes pasurive me burime të dyshimta të gjyqtarit Trezhnjeva ishin një apartament në Tiranë, një në Durrës, një sipërfaqë trualli prej 1920 metra katrorë ne Baldushk.

Trezhnjeva është gjyqtari i dytë që shkarkohet nga detyra nga Vettingu. Më herët Komisioni shkarkoi gjyqtarin e Kushtetueses Fatos Lulo, ndrërsa kolegia e tij Vitore Tusha u rikonfirmua në detyrë. /abcnews.al