Organizata Ndërkombëtare për Ndalimin e Armëve Kimike ka mbështetur versionin e Britanisë lidhur me sulmin ndaj ish-spiunit rus Sergej Skripal. Në këtë mënyrë është zyrtarizuar se origjina e substancës kimike të përdorur është nga Rusia.
Vëzhguesit ndërkombëtar të armëve kimike kanë konfirmuar analizën e Britanisë së Madhe për llojin e agjentit nervor të përdorur në helmimin e ish-spiunit rus. Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike nuk e emëroi agjentin nervor si “Novichok”, por tha se ishte dakord me gjetjet e Mbretërisë së Bashkuar mbi identitetin e saj. Rusia ka mohuar se qëndron pas sulmit ndaj Sergei dhe Yulia Skripal në Salisbury, siç ka pretenduar kryeministrja e Londrës Theresa May.
“Nuk ka asnjë dyshim se çfarë është përdorur. Nuk ka asnjë shpjegim alternativ për atë se kush është përgjegjës – vetëm Rusia ka mjetet, motivin dhe historikun”, u shpreh sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson.
Një ekip nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike vizitoi Mbretërinë e Bashkuar me 19 Mars, 15 ditë pasi Sergej dhe Yulia Skripal u gjetën pa ndjenja në një stol parku në Salisburi. Ata u dërguan në spital nga një oficer policie, i cili ishte ndër të parët që mbërriti në vendngjarje.
Yulia disa ditë më parë doli nga spitali, ndërsa babai i saj akoma po merr trajtimin e nevojshëm. Megjithatë nuk është në rrezik për jetën. Helmimi i tyre shkaktoi një përplasje të ashpër diplomatike mes Perëndimit dhe Rusisë. Britania, SHBA, Shqipëria dhe shumë shtete të tjera perëndimore dëbuan qindra diplomatë të Moskës. Të njëjtën kundërpërgjigje pati edhe Kremlini, që dëboi të njëjtin numër diplomatësh./abcnews.al