Roma nuk ndihet plotësisht e kënaqur pasi eleminoi Barcelonën dhe shkaktoi surprizën më të madhe të Championsit. Italianët duan që të kualifikohen për në finalen e Kievit.
Përtej arsyes.
E tillë ajo që ndodhi në stadiumin “Olimpiko”, ku Roma eleminoi gjigandët e Barcelonës nga Championsi.
Komentatori i BT Sportit e quajti edhe përtej realitetit suksesin e pabesueshëm të formacionit italian ndaj favoritëve të kompeticionit më të madh të klubeve në Europë.
Skenat ishin të një gëzimi të çmendur në fushë dhe në tribuna, për një triumf që kryeqyteti italian e ka përjetuar shumë rrallë.
Nga superyjet katalanas pati vetëm zhgënjim të plotë.
Roma e meritoi plotësisht kalimin në gjysmëfinale, duke dominuar ndaj rivalit që nga minuta e parë, e thuajse deri në fund.
Ushtroi presion asfiksues dhe shënoi golat, njërin më të bukur se tjetrin.
Edin Xheko, sulmuesi nga Bosnjë-Hercegovina, ishte sërish shtylla e skuadrës, ndërsa Daniele De Rosi e Manolas më në fund gjetën portën e duhur për të shënuar, pasi shkaktuan autogola në çerekfinalen e parë.
Trajneri Euzebio Di Françesko, sidoqoftë, nuk kërceu përpjetë nga lumturia në deklaratat e tij pas ndeshjes.
Di Françeko: “Futbolli italian e donte një skuadër në Champions, dhe sonte ishim ne. Këtë që ndodhi ua kam predikuar futbollistëve të mi që ditën e parë që erdha në Romë, dhe për fat, paskam arritur t’ua mësoj lojtarëve të mi. Jam jashtëzakonisht I lumtur, por mendoj se kjo nuk është maksimumi ynë. Nuk duhet të kënaqemi me pak siç kemi bërë në të kaluarën, sepse kemi një qëllim të madh, atë që të arrijmë finalen. Pas këtij suksesi të madh, pse të mos kërkojmë edhe një më të madh?”
Heroi Edin Xheko ishte i qetë dhe i lumtur në përfundim.
“E dinim se mund t’ia dilnim, – tha sulmuesi me përvojë, – dhamë maksimumin dhe është diçka e madhe që eleminuam një nga ekipet më të fortë të botës, por për këtë duhet të falenderojmë tifozët, sepse suksesi ishte i përbashkët”.
Çfarë ndodhi me Barcelonën?
Prej kohësh ishte e qartë se ekipi, dikur me futbollin më të bukur në Europë, ishte kthyer në skuadrën më pragmatiste, por këtë herë kjo nuk mjaftoi.
Nuk vlejti zotërimi i topit 57 për qind, pasi nuk u arrit të dilej nga presioni i Romës dhe të goditej porta.
Mos vallë një epokë po merr fund?
Trajneri katalanas e pati të vështirë të fliste se përse skuadra e tij u dorëzua në atë mënyrë.
Valverde: “Kur pëson një humbje të tillë është e vështirë të japësh një spjegim. Kundërshtari u tregua shumë i fortë, ndërsa ne nuk ishim në lartësinë e detyrës. Roma bëri shumë presion, qoftë nga krahët, qoftë në mesin e fushës, duke marrë parasysh rrezikun. Ne nuk iu përgjigjëm dot dhe nuk e kaluam barrierën e tyre, për të përfituar nga hapësirat që Roma kishte në mbrojtje. Kjo ndodhi në pjesën e parë, kjo vazhdoi edhe pas pushimit. Jemi të zhgënjyer pasi prisnim të bënim krejt tjetër gjë, por duhet të përgëzojmë Romën për suksesin”.
Një legjendë si Andres Iniesta dha shenjën se e ardhmja e tij pritet të jetë larg “Kamp Nout”.
“Është e mundur që kjo të jetë ndeshja ime e fundit në Champions me Barcelonën, – tha ai, – por, për momentin nuk dua të mendoj për të ardhmen. Kjo që ndodhi është e rëndë për të gjithë, lojtarët, klubin dhe tifozët”.
Presidenti i Barcelonës, Bartomeu, përgëzoi Romën për suksesin e arritur, por nuk arriti të spjegonte se përse ekipi i tij humbi në këtë mënyrë.
“Do ta analizojmë”, premtoi ai.
Ky ishte eleminimi i tretë radhazi i Barcelonës në çerekfinale të Championsit, diçka që bëhet më e rëndë për tifozët, pasi Reali është shpallur dy herë po radhazi kampion i Europës./abcnews.al