Kamza largon Ramadan Ndreun

schedule19:34 - 10 Prill, 2018

schedule 19:34 - 10 Prill, 2018

Ramadan Ndreu është shkarkuar nga detyra e trainerit të Kamzës. Vendimi është marrë sot pas takimit të tij me presidentin e skuadrës dhe kryetarin e bashkisë së qytetit.

8 javë para përfundimit të kampionatit, Kamza vendosi të largojë trajnerin Ramadan Ndreu. Pas një takimi në mesditë të teknikut me Presidentin e ekipit, Naim Qarri dhe kryetarin e Bashkisë Xhelal Mziu u vendos shkëputja e marrëdhënieve mes palëve.

Mësohet se Ramadan Ndreu kishte disa javë që po mendonte largimin për t’i lënë mundësi skuadrës që të afronte një tjetër trajner në shpresën që situata të ndryshonte. Këtë të martë, Ndreu është parë bashkë me Qarrin në ambientet e stërvitjes. Lajmi u është komunikuar futbollistëve.

Ndreu ka falenderuar lojtarët pasi për trajnerin, ata kanë dhënë maksimumin e tyre duke rivalizuar me skuadrat më të mira të superligës. Në dy fazat e para të kampionatit Kamza ishte skuadra surprizë, por mungesat e lojtarëve dhe kalendari jo i favorshëm sollën rënie në tabelën e renditjes. Në 9 ndeshjet e fazës së tretë, Kamza mori 2 barazime, dy fitore dhe 5 humbje. Aktualisht gjendet në vendin e 7 me 34 pikë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!