A është kërcitja e qafës një çlirim i padëmshëm apo një zakon që mund të na kushtojë shëndetin? Pse disa njerëz nuk e nisin dot ditën pa kërcitur gishtat apo shpinën? Dhe kur ajo që duket si një shqetësim i vogël duhet të na bëjë të ndalemi?
Në ABC e Mëngjesit, Ilvi Begolli, shef i Shërbimit të Klinikës së Rehabilitimit Fizioterapeutik pranë QSUT-së dhe fizioterapist i Kombëtares Shqiptare*, vjen me përgjigje për disa nga shqetësimet që prekin përditshmërinë tonë.
Një gungë pas qafës, dhimbja e mesit sapo zgjohemi apo ndjesia se trupi nuk na bind më si dikur: a janë këto shenja të moshës apo pasojë e mënyrës si jetojmë?
Begolli do të shpjegojë pse shfaqen ndryshimet në zonën e qafës, cilat mund të përmirësohen me ushtrime dhe kur pas një ndryshimi të tillë mund të fshihet një problem që kërkon vlerësim mjekësor.
Po kërcitja e qafës? A është vërtet e nevojshme për të ndier lehtësim, apo tingulli që dëgjojmë na krijon iluzionin se gjithçka është kthyer në vendin e duhur?
Nga mitet për 10 mijë hapat në ditë te dhimbjet që nuk duhen neglizhuar, biseda do të sjellë këshilla praktike për një trup më të shëndetshëm dhe lëvizje pa frikë.
Dhe kur bëhet fjalë për futbollistët e Kombëtares Shqiptare, sa vendimtare është fizioterapia për përgatitjen para ndeshjeve? Cilat janë shqetësimet që kërkojnë më shumë vëmendje dhe si ndihmon fizioterapisti që lojtarët të jenë në formën e tyre më të mirë?


