Kryeministri Edi Rama duke folur nga foltorja e Kuvendit për diskutimet e palëve politike për hapjen e listave në procesin zgjedhor, theksoi se marrëveshja politike është mes tre palëve dhe se siç u shpreh kryeministri, në këtë rast mazhoranca ka krushqi të dyfishtë.
Duke iu drejtuar opozitës parlamentare, Rama tha se nuk mund të kërkohej hapja e listave, heqja e koalicioneve apo mos prania e njerëzve të Partisë Demokratike në komisione, pasi problemi qëndron pikërisht tek hyrja në zgjedhje e Partisë Demokratike.
“Kemi krushqi të dyfishtë në këtë rast, edhe me ata edhe me ju. Nëse ju më thoni që ne duam listat e hapura, ne duam heqjen e koalicioneve dhe duam që në komisione PD dhe Lulzim Basha mos të ketë njerëz, atëherë po më thoni ta tmerrojmë Lulin nga e para, dhe mos të bëjmë asgjë për të kthyer lepurin e madh në formë luani në një mace që është aty, por që nuk është aq agresive sa ta detyrojë të mendoj se nuk hyn në zgjedhje, ju e dini që ky është problemi”, u shpreh Kryeministri.
Më tej kreu i qeverisë ka shkëmbyer edhe batuta me Korab Litën në sallë, duke i thënë këtij të fundit se vinte nga zona e luanëve të partisë Demokratike.
“Ti Korab mos qesh se ti vjen nga zonat e Luanëve te PD qe e kemi këtu nw pjesën perëndimore. Je dëshmitar, ti je bërë trim , por kjo nuk do të thotë që trimëria jote është simetrike me atë të atyre jashtë. Sot në Shqipërinë e vitit 2020 të thuash që administrimi më i sigurtë zgjedhor është me parti politike, është skandal”.
Sakaq kryeministri ka qenë i prerë ndaj kërkesës së Partisë Demokratike ditën e sotme, ku kjo e fundit i kërkoi Kuvendit që parlamenti të miratojë Kodin e ri në seancën radhës.
Duke përdorur ironi me deputeten Rudina Hajdari, Kryeministri tha se mazhoranca nuk merr urdhra nga askush.
“Zonja Handari për të dalë me dinjitet institucional dhe frymë konsensusi politik të mirëkuptuar nga shqiptarët. Nuk jemi këtu për të marrë urdhra dhe as për të dhënë urdhra, jemi këtu të nxjerrim një produkt asnjanës. Ti e ke thënë vetë unë jam sulltan, unë nuk hyj tek ata që marr urdhra nga jeniçerët e Lulit”./abcnews.al