Presidenti amerikan Donald Trump e ka cilësuar skandaloz, operacionin e FBI në zyrat e avokatit të tij në Nju Jork. Gjithashtu sulmoi prokurorin special që heton për “Russiagate” duke thënë se me urdhër të tij është kryer një sulm ndaj SHBA-ve.
Një situatë skandaloze dhe sulm ndaj Shteteve të Bashkuara. Kështu Donald Trump komenton bastisjen e FBI-së, të urdhëruar nga prokurori special që heton çështjen “Russiagate”, Robert Mueller, në zyrën e avokatit Michael Cohen. Presidenti amerikan ka sulmuar Mueller dhe “gjuetinë e tij kostante të shtrigave, që vijon prej të paktën 12 muajsh. “Me operacionin në zyrat e Cohen, kemi kaluar në një nivel të ri të padrejtësisë: është qesharake”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Avokati Cohen e ka cilësuar bastisjen “të papërshtatshme dhe të panevojshme”. Operacioni nuk lidhet drejtpërdrejt me hetimin që Mueller po kryen për “Russiagate”, por ka shumë të ngjarë që ajo të fillojë falë informacionit të shpërndarë nga Mueller me autoritetet e Nju Jorkut. Cohen ka bashkëpunuar dhe më herët me autoritetet amerikane për hetimet lidhur me “Russiagate”, duke dërguar qindra dokumente në posedim të tij në Kongres, duke qenë avokat personal i Trump prej vitesh.
Përfaqësuesi ligjor në të njëjtën kohë është në qendër dhe të një tjetër skandali. Ai ka paguar 130 mijë dollarë për të detyruar aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels që të mos zbulojë mardhënien jashtëmartesore me Trump në 2006. Marrëveshja e heshjes është përpiluar pak para zgjedhjeve të nëntorit të 2016. Sëfundmi Daniels bëri me dije se është kërcënuar ndërsa gjendej në një parking bashkë me vajzën e saj në makinë. Për këtë arsye vendosi që të pranojë paratë.
Ndërkohë, Donald Trump pretendon se nuk është në dijeni të vendimit të Cohen për të paguar Daniels për t’i blerë heshtjen. Gjithashtu palët thonë se kreu I Shtëpisë së Bardhë nuk e ka firmosur kurrë marrëveshjen./abcnews.al