Sulmuesi i Borussia Dortmund, Erling Braut Haaland, ka zbuluar se nuk do të largohet nga gjermanët në merkaton e verës. Edhe pse 19-vjeçari ka vetëm disa muaj që është transferuar tek verdhezinjtë, ai është sërish në qëndër të merkatos, ku Juventusi ka shfaqur interesimin më të madh për shërbimet e tij.
“Unë jetoj të tashmen. Sapo kam ardhur në Dortmund dhe për momentin nuk e mendoj largimin. Jam shumë i lumtur këtu dhe sipas mendimit tim Borussia është një nga klubet më të mëdha në botë”, deklaron norvegjezi për “WAZ”.
”Kam firmosur një kontratë të gjatë dhe realisht nuk mendoj për të ardhmen. Jam unë ai që vendos për të ardhmen time. Dëshira ime është të fitoj diçka të rëndësishme me Borussian dhe jo të përfundoj gjithmonë i dyti. Besoj se titulli kampion do të jetë shumë shpejt i joni”, mbyll Haaland. /abcnews.al