Qeveria u jep ultimatum bizneseve në zonat bregdetare të marrin masat e nevojshme për të mos shkarkuar në det ujërat e zeza. Në këtë sezon turistik nuk do të ketë asnjë tolerancë, sipas autoriteteve, që e cilësuan turizmin me rëndësi strategjike për vendin.
Që turizmi të sjellë të ardhura në Shqipëri nuk mjafton vetëm të promovohet. Duhet edhe ndëshkim ndaj atyre që duan të përfitojnë duke shkelur ligjin.
Në çeljen e edicionit të 2-të “Panairi Mesdhetar i Turizmit 2018” në Expocity Tirana, me operatorë turistikë nga i gjithë rajoni i Mesdheut të shifrat e të ardhurave vjetore janë optimiste. Por sipas kreut të qeverisë, operatorët turistikë ndeshen me vështirësinë se nuk i përgjigjen dot kërkesës së lartë.
Edi Rama: “Për këto arsye kemi adresuar nga njëra anë boshllëkun që kemi në raport me infrastrukturën e mikpritjes, sidomos për nivelin e lartë dhe për atë pjesë të kësaj infrastrukturë që në Shqipëri mungon plotësisht, që janë hotelet e certifikuara me 4 dhe 5 yje”.
Duke iu referuar uljes së TVSH-s për të gjithë strukturat akomoduese turistike në 6%, kryeministri Rama tha se kjo e ka ndihmuar dhe do të vazhdojë ta ndihmojë ndjeshëm turizmin në Shqipëri. Por ky nuk është hapi i vetëm që ka hedhur qeveria.
Edi Rama: “Ndërkohë deri në javën e fundit të këtij muaji, ne do të bëjmë publik edhe aspektin tjetër, lehtësirat që do të krijojmë për të gjithë ata sipërmarrës, individë, apo familje që do të synojnë ndërtimin e strukturave të agroturizmit në gjithë hapësirën rurale të Shqipërisë”.
Fjala e fundit e kreut të qeverisë është autokritika.
Edi Rama: “Sigurisht jemi të vetëdijshëm se në këtë sezon mbase nuk do arrijmë të bëjmë gjithçka në këtë drejtim, por të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se kush do të gjendet në shkelje të këtij kushti, nuk do të tolerohet dhe do të rrezikojë të humbasë të gjitha të ardhurat e pritshme nga sezoni turistik”./abcnews.al