Në Vlorë është çelur konsullata e nderit e Austrisë. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ,tha se kjo konsullatë do të jetë në funksion të konsolidimit të mëtejshëm të marrëdhënieve diplomatike dhe njerëzore.
Shtimi i përfaqësisë së Konsullatës së Nderit të Austrisë në Vlorë, sipas Bushatit, ka një rëndësi të veçantë për bashkëpunimin dhe thellimin e marrëdhënieve ekonomike, duke pasur parasysh mundësitë ende të pashfrytëzuara që ofron Vlora dhe projektet ambicioze që qeveria shqiptare synon të zbatojë në kete qytet.
Në këtë konsullatë nderi, konsull i së ciles do të jetë Arben Malaj, shtetasit shqiptarë të Vlorës, Fierit, Beratit dhe Gjirokastrës do kenë mundësi të përfitojnë shërbime dhe asistencë për kërkesat e ndryshme që do kenë në vijim në lidhje me shtetin austriak.
Konsullata e Nderit e Austrisë në Vlorë i shtohet 43 Konsullatave të tjera të Nderit, që ndodhen aktualisht në vendin tonë./abcnews.al