Kancelarja gjermane Angela Merkel do të vizitojë Shtetet e Bashkuara më 27 prill, ku do të takohet me presidentin Donald Trump për të diskutuar mbi marrëveshjen bërthamore me Iranin, marrëdhëniet tregtare dhe ato ndër-atlantike. Udhëtimi i Merkel drejt Uashingtonit do të vijë tri ditë pas vizitës së presidentit francez Macron në Shtëpinë e Bardhë, fare pak përpara skadimit të afatit që përjashton Bashkimin Europian nga taksat e rritura për çelikun dhe aluminin e importuar, më 1 maj. Vizita e Merkel në Amerikë, sipas së përditshmes gjermane “Bild”, do të zhvillohet gjithashtu pak para 12 majit, afati i vendosur nga presidenti Trump për ndryshimin e marrëveshjes me Iranin, për të frenuar programin e tij bërthamor. Vetë zyra e kancelares ka preferuar të mos bëjë asnjë koment mbi vizitën, e cila ndodh gjithashtu në një kohë kur tensionet mes Perëndimit dhe Rusisë janë më të larta se kurrë. Javën e kaluar, në një bisedë telefonike, Merkel e ftoi Trump për dialog mbi politikat tregtare mes Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara. Marrëdhëniet e kancelares me shefin e Shtëpisë së Bardhë zbritën në një nivel minimal pas zgjedhjes së tij në nëntor të 2016-s. Përpara bisedës telefonike, më 1 mars, ku u diskutua për Sirinë dhe Rusinë, dy liderët kishin ngrirë kontaktet mes tyre për më shumë se 5 muaj. Siç duket, zhvillimet e fundit në arenën ndërkombëtare i kanë detyruar të rishikojnë strategjitë e tyre./abcnews.al