Albano Janku, ish-gjyqtari i njohur i Superiores, ka komentuar rastet e dyshimta të kësaj jave në Superiore. Gjatë emisionit “Pressing” në ABC News, ai fillimisht foli në lidhje me përballjen mes Tiranës dhe Vllaznisë. “Momenti i parë ishte në minutën e 10-të, kur Hoxhallari pretendoi për penallti. Dora e mbrojtësit të Vllaznisë ishte në pozicion natyral dhe vendimi është i drejtë.
“Momenti i dytë është në minutën e 14-t, ku pamje nuk është e qartë nëse Lika godet topin apo kap këmbën. Mua më duket se ka ndodhur e para dhe vendimi është i drejtë. E thashë që është e vështirë.
Kemi pastaj pretendimin e Vllaznisë për penallti. Kur e pashë në fillim m’u duk dorë natyrale. Arbitri e ka të vështirë, prej këndit. Batha i kishte pas duart në fillim dhe i nxjerr. Nuk është në pozicion natyral dhe duhet të kishte penallti. Në fushë është i vështirë ai vendim”.
“Kemi edhe kartonin e dytë të verdhë të Hoxhallarit. Ai nuk reagon për penallti, e kupton edhe vetë që është hedhur. Donte ta vidhte dhe është e padiskutueshme që ka karton të verdhë. Ishte i dyti dhe doli me karton të kuq. Vendimi i Jorgjit ishte i drejtë”.
NDESHJA NË LAÇ – “Ishte ndeshja kryesore e javës, një ndeshje e bukur dhe e fortë. Dua të ndalem te pretendimi për penallti. Ta shikojmë ndërhyrjen nga pas. Ka dy momente. Kemi apo jo faull. Shikojmë dorën e Turkajt mbi shpinën e Abazajt. Kemi të bëjmë me faull.
Por ku ndodhi? Ka ndodhur në hyrje të zonës së Laçit. Duhet të kishim faull, por jashtë zone. Në lidhje me kartonin e kuq që pretendohet. Topi nuk është në zotërim të plotë të sulmuesit, është në gjoks. Selmani është aty pranë. Pra nuk kemi rast të pastër shënimi. Duhej dhënë vetëm i verdhë. Gabimi është se nuk ka dhënë faull. Duhej dhënë i verdhë”.
“Te faulli që kërkon Abazaj, topi mbetet te lojtari i laçit. Nuk ka faull. Vendim i drejtë i arbitrit. Te rasti i pozicionit jashtë loje, lojtari i Kukësit sulmon topin. Është më i avancuar dhe është pozicion jashtë loje i drejtë”. /abcnews.al