Në studion e “ABC News” zv. Ministrja e Arsimit Nina Guga ka folur për programet mësimore, duke u ndalur edhe te provimet e Maturës Shtetërore.
Guga u shpreh se të gjitha temat e bëra pas 9 marsit nuk u përfshinë në programin e maturantëve.
“Në momentin që do të bëhej Matura Shtetërore, prioritet është të ruhet standardi, duke pasur një monitorim të besueshëm. Testet patjetër do t’i përmbaheshin standardit. Testi diferencon formimin që ka nxënësi, por edhe problematika dolën.
Testi në kushte pandemie u bë me alternativa. Sigurisht që nuk është më i miri i mundshëm, por e rëndësishme është që në një test të mos kemi dalje jashtë programi”, tha Guga.
Gjatë intervistës Guga u ndal edhe te testi i Gjuhë-Letërsisë për të cilin pati edhe protesta nga ana e maturantëve.
“I kam dëgjuar dhe ftuar maturantët që të diskutojmë mbi argumente. Një nga reflektimet që Ministria e Arsimit bëri, ishte kohëzgjatja e testit. Kërkesat e tyre janë ballafaquar me mësues specialistë dhe për çdo pretendim të nxënësve ka dalë një përgjigje argumentuese.
Në një nga pyetjet e testit ishte vënë sqarimi që ky tekst është më gabime drejtshkrimore pyetja ishte e tillë për tu rregulluar nga nxënësit dhe ndoshta ata e kanë marrë të mirëqenë.
Me garancinë që na japin specialistët çështja e turit nuk është e përkthyer është marrë një fragment nga burime që merren tekste letrare dhe është sjellë për të matur anën logjike nga ana gjuhësore. Ndoshta sjellja dhe qasja e ndërtimit të pyetjeve mund t’i ketë konfuzuar nxënësit, por testi nuk ishte i vështirë”, u shpreh zëvendës ministrja.
Sakaq ajo shtoi se kërkesa për rezultatet e provimit, ishte një kërkesë e tyre dhe u reflektua.
“Shtyrja e Maturës Shtetërore, nuk u synua për të mos penguar studentët, u mendua më e arsyeshme që nxënësit ta kalonin procesin e maturës”, tha Guga.
Sipas saj digjitalizimi në arsim është një nga prioritetet e Ministrisë Arsimore.
“Mësimi online në këto kushte pandemie nuk ishte gjëja më e mirë. Kjo ishte mundësia për ti mbajtur nxënësit më afër dijes”, u shpreh Guga./abcnews.al