Disa politikanë pozitivë për Covid-19, izolohet në banesën e tij presidenti argjentinas

schedule14:06 - 18 Qershor, 2020

schedule 14:06 - 18 Qershor, 2020

Presidenti i Argjentinës Alberto Fernandez duke nisur nga e mërkura është futur në izolim në rezidencën e tij zyrtare Quinta de Olivos. Lajmin e ka dhënë me anë të një deklarate Casa Rosada, selia e pushtetit ekzekutiv në vend.

Masa në fjalë u rekomandua nga Dr. Federico Saavedra nga Njësia Mjekësore Presidenciale e Argjentinës.

Sipas një deklarate të lëshuar nga Saavedra, Fernandez “do të vazhdojë të kryejë detyrat e tij të zakonshme në vendbanimin e tij dhe të kufizojë sa më shumë kontaktet e mundshme ndër-njerëzore.” Takimet ballë për ballë do të mbahen vetëm nëse ato janë çështje me rëndësi jetike.

Si pjesë e masave të izolimit Fernandez nuk do të udhëtojë në qytetin-port të Rosario-s për të marrë pjesë në festimet që shënojnë Ditën e Flamurit, një festë tradicionale argjentinase.

Disa politikanë argjentinas kanë rezultuar pozitivë për koronavirusin, duke përfshirë disa kryetarë bashkie që duhej të takoheshin me Fernandez javën e kaluar.

Argjentina aktualisht ka më shumë se 35.500 raste të konfirmuara me Covid-19 dhe 913 viktima, sipas Universitetit Johns Hopkins. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!