Pas disa kohësh testimesh, qeni robot i krijuar nga kompania Boston Dynamics, është vënë në shitje për një vlerë prej 74.500 dollarësh. Roboti i quajtur ‘Spot’ ka tërhequr mjaft vëmendjen për detyrat që mund të kryejë pasi mund të vrapojë, ngjisë shkallët, dhe madje t’ju kujtojë njerëzve të ruajnë distancimin shoqëror.
Më parë, kjo pajisje ishte përdorur vetëm për biznese dhe kërkime të ndryshme, tashmë mund të përdoret gjerësisht për inspektime në vendet e ndërtimit, shkruan abcnews.al.
“Kombinimi i programit të sofistikuar të Spot dhe lëvizjeve të tij mekanike, e lejon që të bëjë punët e rënda që nuk i bën njeriu”, thotë Marc Raibert, drejtor dhe themelues i Boston Dynamics.
‘Spot’ mund të vrapojë me një shpejtësi 1.5 metra për sekond, ka kamera që i japin një pamje 360 gradë, mbrojtëse nga uji dhe pluhuri dhe mund të punojë në temperatura që ndryshojnë -20 deri në 45 gradë celsius. /abcnews.al