PD mungon në komisionet parlamentare

schedule15:56 - 3 Prill, 2018

schedule 15:56 - 3 Prill, 2018

Deputetët e partive opozitare munguan sot në komisionet parlamentare. Ky vendim i opozitës nuk u respektua nga gjithë deputetët e LSI-së. Ndërkohe ABC News ka mësuar se kreu demokrat, Lulzim Basha ka qenë në zyrën e ish-kryeministrit Berisha ku kanë diskutuar së bashku.

Një ditë pas mbledhjes së përbashkët të grupeve parlamentare të opozitës së bashkuar, PD, LSI jeta parlamentare zbulon diferencën mes tyre.
Deputetët e Partisë Demokratike paraditen e së martës, në vend t’i drejtoheshin kryesisë së Kuvendit, morën kthesën për nga drejtoria e policisë Tiranë.

Ndërkohë kreu i opozitës, Lulzim Basha zhvilloi një takim me ish-kryeministrin Berisha në zyrën e këtij të fundit.
Burime pranë kësaj partie bëjnë me dije për ABC News se vendimi politik për mos-pjesëmarrje u koordinua gjatë mbledhjes së përbashkët të grupeve parlamentare një ditë më parë dhe do të vijojë gjykimin rast pas rasti.

Ky vendim duket se nuk ka ndikuar mbi deputetët e opozitës socialiste. Madje edhe nja dy demokratë humbën rrugën.

Deputetët e LSI morën pjesë në komisionet parlamentare të parashikuara për ditën e martë, teksa kolegët e tyre demokratë, karriget e së cilëve mbetën bosh, qëndruan pranë të ndaluarve kuksianë të gjendur në Drejtorinë e Policisë Tiranë mes thirrjeve të familjarëve për të liruar protestuesit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!