Ambasada e Rusisë në Shqipëri në një deklaratë të publikuar në Facebook, komenton hetimet për helmimin e ish-spiunit Sergej Skripal në Britani. Selia diplomatike shkruan se Londra nuk ka asnjë provë konkrete për akuzimin e Moskës për këtë çështje.
“Sado e pabesueshme të duket kjo për çdo njeri të arsyeshëm, histeria arrogante e Britanisë së Madhe dhe Kryeministres Theresa May, në mungesë absolute të provave, është përdorur si justifikim i mjaftueshëm për dëbimin masiv të diplomatëve rusë, përfshirë edhe nga Shqipëria”, nënvizohet në deklaratë.
Gjithashtu Rusia ka shume pikëpyetje mbi përfshirjen e Francës në hetimet për sulmin ndaj Skripal dhe të bijës. Moska akuzon Britaninë e Madhe për mungesë transparence duke qenë se nuk lejon përfshirjen e Rusisë në Hetime.
“Duket qartë nga sjellja e Britanisë së Madhe se ajo ka diçka për të fshehur”, nënvizohet në deklaratën e ambasadës ruse në Tiranë./abcnews.al