60.7 tonë kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës, është sasia e drogës që ka trafikuar organizata kriminale me drejtues Franc Çopjan dhe Ervis Çelën e cila ka vepruar nga viti 2019-2021 në disa kontinente. Pas disa vitesh hetime, SPAK ka përfunduar zbardhjen e aktivitetit të këtij rrjeti dhe ka dërguar për gjykim 16 persona, mes tyre dy drejtuesit e organizatës kriminale.
Dërgohen për gjykim:
Franc Çopja
Ervis Çela
Fadil Balla allias Julian Balla
Riza Çela
Ardjan Çela
Maringlen Mullaj
Petrit Lakatos allias Petrit Sulejmani
Renato Musaku
Gert Çerma
Marenglen Kamami
Soni Pepa allias Vilson Pepa
Albin Çela
Elidon Çela
Denis Daja
Ditjon Pepa
Kujtim Gjyla
Sipas hetimeve, organizata kishte një strukturë të ndarë në disa nivele dhe bashkëpunonte me grupe kriminale në Paraguaj dhe Brazil. Ervis Çela dhe Franc Gergely kishin ndarë mes tyre dy hallkat kryesore të trafikut.
Çela siguronte kokainën në vendet e origjinës, kryesisht në Bolivi, ku kishte kontakte me furnizuesit dhe laboratorët e prodhimit, ndërsa Çopja merrej me financimin, transportin ndërkombëtar, nxjerrjen e ngarkesave nga portet europiane dhe shitjen e drogës në tregun europian. Në nivelin drejtues, sipas SPAK, përfshihej edhe Fadil Balla.
Kokaina sigurohej në laboratorët e zonës të cilët në komunikimet e përgjuara referoheshin si “kuzhina”. Nga Bolivia, lënda narkotike transportohej drejt Paraguajit, edhe me avionë të vegjël që uleshin në zona rurale. Në komunikime përmenden ngarkesa deri në 500 kilogramë, të cilat më pas transferoheshin në kamionë të tonazhit të rëndë për t’u grumbulluar dhe përgatitur për eksport.
Për të nxjerrë drogën drejt Europës, organizata përdorte kompani tregtare në Paraguaj, të cilat siguronin mallra të ligjshme për të kamufluar kokainën në kontejnerë. Mes produkteve të përdorura për këtë qëllim përmenden stuko patinimi, bojëra dhe produkte të tjera industriale. Sipas hetimeve, kokaina blihej me 4.100 deri në 4.200 dollarë kilogrami, ndërsa për ngarkimin në anije paguheshin edhe 1.300 dollarë për kilogram, si ryshfet për kalimin e saj në port.
Destinacionet kryesore ishin portet e Hamburgut, Anversës, Barcelonës dhe Roterdamit. Një tjetër element i skemës ishte ndryshimi i destinacionit të kontejnerëve gjatë lundrimit, për t’i orientuar drejt porteve ku organizata kishte krijuar kushtet për nxjerrjen e drogës.
Në këtë fazë rolin kryesor e kishte Franc Çopja, i cili, sipas SPAK, kishte krijuar kontakte me persona të lidhur me doganat dhe sigurinë portuale në Anversë të Belgjikës, përfshirë punonjës që operonin skanerët e kontejnerëve. Për nxjerrjen e kokainës nga porti paguhej deri në 15% e ngarkesës, shpesh në formën e dorëzimit të një pjese të drogës. Pas mbërritjes në Europë, Holanda shërbente si një nga qendrat kryesore të magazinimit dhe shpërndarjes me shumicë, prej nga kokaina dërgohej në Gjermani, Spanjë, Belgjikë, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Përmasat e këtij aktiviteti dalin edhe nga episodet konkrete të sekuestrimit të drogës.
Episodet e drogës:
-Dhjetor 2019 – Rotterdam, Holandë: sekuestrimi i rreth 255 kg kokainë.
-Prill 2020 – Barcelona, Spanjë: sekuestrimi i rreth 495 kg kokainë.
-Maj 2020 – Rotterdam, Holandë: sekuestrimi i rreth 300 kg kokainë.
-Nëntor 2020 – Holandë: sekuestrimi i rreth 600 kg kokainë.
-Shkurt 2021 – Hamburg, Gjermani: sekuestrimi i rreth 17 tonëve kokainë.
Në total, vetëm në këto pesë episode u kapën rreth 18.6 tonë drogë.
Përveç drejtuesve, në këtë rrjet janë identifikuar edhe bashkëpunëtorë të huaj me rëndësi në Amerikën Latine. Mes tyre dy shtetas uruguaian ndërkohë në rrjet përfshiheshin edhe shtetas paraguajanë dhe brazilianë. Njëri prej tyre dyshohet se vinte në dispozicion kompanitë e tij për magazinimin dhe kamuflimin e kokainës në mallra të ligjshme, ndërsa një tjetër zotëronte avionë sportivë që dyshohet se përdoreshin për transportimin e drogës nga Bolivia në Paraguaj.
Furnizuesit brazilianë, sipas hetimeve, siguronin sasi shumëtonëshe kokaine dhe në disa raste ishin të gatshëm t’i vinin në dispozicion Ervis Çelës dhe bashkëpunëtorëve të tij nga 2 deri në 3 tonë drogë pa parapagim.
Një tjetër hallkë e rëndësishme ishte qarkullimi i parave. Organizata përdorte sistemin informal Hawala dhe kode identifikuese të quajtura “token”, për të transferuar dhe verifikuar shuma të mëdha parash pa kaluar përmes transfertave të zakonshme bankare. Në këtë skemë përmenden si pika financiare Paraguaji, Bolivia, Brazili, Shqipëria, Turqia dhe Dubai.
Paralelisht me zbardhjen e trafikut të kokainës, hetuesit kanë gjurmuar edhe pasuritë e dyshuara si të krijuara me paratë e drogës. Në listën e pasurive të sekuestruara janë resorti “Ajman Park” në Xhafzotaj të Durrësit, një vilë në kompleksin turistik “Ionian Olea” në Dhërmi, aktiviteti “Solis Farm” në Baldushk, prona në zonën e Sharrës në Tiranë, shoqëri tregtare, automjete dhe llogari bankare.
Në total, pasuritë dhe paratë e sekuestruara llogariten në rreth 9.2 milionë euro.
Hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me Europol, Eurojust dhe autoritetet e Holandës, Gjermanisë, Francës, Spanjës, Italisë, Maqedonisë së Veriut, Paraguajit, Ekuadorit dhe Brazilit.


