Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pritej të mberrinte kete te hene ne Kosove, per takime zyrtare me autoritetet e ketij vendi.
Zyrtari europian do te udhëtonte drejt Prishtinës, tranzit përmes Tiranës, me një avion që do të nisej nga Zyrihu i Zvicrës. Por fluturimi u anulua pasi aeroporti i Rinasit nuk autorizoi uljen e avionit nga Zvicra, të planifikuar për orën 13:40.
Burime zyrtare nga Ministria e transporteve dhe energjisë në Tirane, të pyetura nga Abc News konfirmuan lajmin. Këto burime sqaruan se autoritetet shqiptare nuk kishin dhënë leje për fluturimin drejt Rinasit, për shkak të mungesës së një marrëveshjeje dypalëshe me Zvicrën.
Nuk dihet ende si do të realizohej ky fluturim nga Zvicra drejt Rinasit, duke mos pasur marrëveshje të rakorduar mes dy vendeve. Edhe aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtine është i bllokuar për fluturimet, për shkak të pandemisë së Covid.
I pyetur nga Abc news për një informacion mbi këte rast një zëdhënës i Komisionit Europian tha se me çështjet logjistike te zotit Lajcak merret zyra e Komisionit Europian ne Prishtinë. Zëdhënësi shtoi se udhëtimi i diplomatit nga Zyrihu u anulua, por Lajcak do të mbërrijë në Kosove, ndoshta edhe me një vonesë të vogël orari për të zhvilluar takimet e parashikuara të martën.
Ndërkaq, Zyra e BE në Kosovë ka bërë të ditur se në qëndrimin e tij në këtë vend deri më 18 qershor, Lajçak do të diskutojë kushtet dhe modalitetet për një rifillim të shpejtë të dialogut, të lehtësuar dhe nga Bashkimi i Evropian. /abcnews.al