Edhe pse dukej se kishte ardhur koha që t’i thoshim lamtumirë koronavirusit pasi dëgjuam shpesh se “kurba epidemisë ishte sheshuar”, ditëve të fundit po regjistrojmë shifra rekord të infektuarish.
Po a do të thotë kjo se “agresiviteti” i virusit është rritur sërish? Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në vend, përgjigja është jo.
Në deklaratën e dhënë sot për mediat sa i përket përditësimit ditor, MSH sqaron se edhe pse sot kemi regjistruar sërish një rekord të infektuarish, numri i vdekjeve mbetet i qëndrueshëm. Në njoftim, thuhet se rritja lidhet me uljen e vigjilencës dhe moszbatimin e rregullave të përcaktuara nga autoritetet shëndetësore.
Po ashtu, theksohet se “kjo periudhë nuk mund të krahasohet me periudhën e pikut, nën efektin e masave të karantinës, për vetë faktin se kemi kohë më të gjatë ekspozimi dhe numër më të lartë kontaktesh gjatë aktiviteteve rutinë të ditës, ku aktualisht 97 % e subjekteve janë në aktivitet.”
Për këtë arsye, thuhet më tej në njoftim, duhet kujdes i shtuar për zbatimin e rregullave.
Për të bërë këtë këto janë rregullat që duhet të ndiqni:
Kur dilni, qëndroni në distancë fizike prej të paktën 1.5 metër, lani duart, përdorni maska ose barriera mbrojtëse kur nuk mund te ruhet distanca fizike, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni.
Lidhuni me mjekun tuaj të familjes nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 për barnat me rimbursim apo pyetje në lidhje me Covid19.
Nëse keni shenja të sëmundjes, qëndroni të izoluar dhe telefononi Urgjencën Kombëtare, 127.
Lexo edhe: Rekord, 69 raste pozitive me koronavirus vetëm sot
Kujtojmë këtu se ditën e sotme në vendin tonë u regjistruan 69 raste të reja me koronavirus ndërsa totali i të infektuarve është rritur në 1590. /abcnews.al/