36 urdhër ndalime janë lëshuar nga Prokuroria e Kukësit për protestuesit që protestuan ditën e shtunë në Rrugën e Kombit. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, 24 nga këto urdhër ndalime u ekzekutuan mëngjesin e së dielës, ndërsa 12 persona janë në kërkim.
Por në një shkresë të siguruar nga ABC News janë emrat e 44 personave, ku bëhet fjalë edhe për 21 persona në kërkim, midis tyre personalitete të zonës. Kjo shkresë nuk ka firmën e Prokurorisë, por sipas burimeve është një shkresë policie.
Ndërkohë të gjithë të ndaluarit ndodhen në komisariatet e policisë së Tiranës. Ata u shoqëruan për në kryeqytet me qëllim shmangien e ndonjë incidenti mes policisë së Kukësit dhe banorëve. Sipas prokurorisë, asnjë dosje nuk ka shkuar ende në gjykatë, dhe i mbetet gjykatës të vendosë se në cilin rreth do të zhvillohet caktimi i masës së sigurisë për protestuesit e ndaluar. Nga precedenti i mëparshëm në Kukës gjatë vitit 2001, të ndaluarit gjatë një proteste u dërguan për vlerësim mase në Gjykatën e Dibrës. /abcnews.al