Alban Xhaferri, presidenti i Vllaznisë në basketboll, kërkon të investojë edhe në klubin e futbollit në Shkodër dhe për këtë ka bërë edhe një kërkesë zyrtare, ku i kërkon Bashkisë Shkodër dhe Këshillit Bashkiak që të vijojnë me procedurat që ia mundësojnë atij përfshihen në klub.
Më parë ai ka pasur edhe një takim me kryebashkiaken Voltana Ademi dhe gjërat, sikurse kuptohet, janë bërë serioze. Kompania që ai drejton i ka dërguar edhe një shkresë Bashkisë Shkodër, ku shpreh interesin për të investuar në klub dhe bëjnë disa premtime.
Në dokumentin e siguruar nga gazetari i ABC News, Simon Shkreli, Alban Xhaferri, presidenti i kompanisë distributore të firmës japoneze Fujifilm, mes të tjerash premton: 1) Brenda një periudhe tre-vjeçare, ekipi i futbollit Vllaznia do të ketë një ekip kompetitiv në kampionatin kombëtar, duke bërë të mundur përfaqësimin në kompeticionet evropiane.
2) Brenda një periudhe 5-vjeçare rindërtojmë Akademinë Sportive Vllaznia, duke krijuar kushtet dhe mundësitë që prurjet e saj të përfaqësojnë denjësisht Vllazninë si dhe krijimin e mundësive për t’u aktivizuar në ekipe të tjera brenda dhe jashtë vendit, nëpërmjet transferimit të të drejtave të pronësisë në këmbim të rritjes se të ardhurave të klubit.
3) Zhvillimin e politikave të marketingut, te cilat do të mundësojnë bashkëpunimin me biznese lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare, duke rritur ndjeshëm të ardhurat në drejtim të Klubit të Futbollit Vllaznia sh. a.
4) Zhvillimin e politikave për afrimin e sportdashësve në stadium, duke ofruar mundësi dhe aktivitete të cilat transformojnë ndeshjet e futbollit në shfaqje sportive që rrisin jo vetëm interesin, por edhe masivizimin e sportit si dhe të ardhurat e klubit. /abcbews.al