Dëbimi i 6 shtetasve turq në Kosovë ka ngjallur polemika dhe dyshime rreth respektimit të ligjeve dhe kushtetutës së këtij shteti. Për këtë kryeministri Haradinaj shkarkoi ministrin e brendshëm dhe shefin e inteligjencës.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar Ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe drejtuesin e Agjencisë Kosovare të Iinteligjencës, Driton Gashi. Vendimi i tij erdhi pas operacionit të së enjtes të realizuar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës për deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në atdheun e tyre. Këta të fundit punonin në një kolegj privat turk, shkollë e cila bën pjesë në rrjetin e institucioneve arsimore të klerikut turk Fetullah Gulen, i cili nga Turqia konsiderohet si terrorist.
Për arrestimin dhe deportimin me procedurë të përshpejtuar të gjashtë turq nuk kanë pasur dijeni drejtuesit më të lartë të shtetit. Haradinaj, Thaçi e Veseli njoftuan se operacioni ishte i paqartë dhe se asnjë nga ta nuk kishin pasur detaje për një veprim të tillë. Arrestimi dhe dëbimi I 6 shtetasve turq me leje qëndrimi në Kosovë, njëri prej tyre me pasaportë shqiptare, shkaktoi shumë polemika.
Analistët mendojnë se ky zhvillim ka sfiduar dhe cënuar jo vetëm demokracinë në shtetin më të ri europian, por ka ngritur edhe dyshime për shkeljen e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës./abcnews.al