Korçë, termocentral i ri me gaz natyror

schedule21:06 - 29 Mars, 2018

schedule 21:06 - 29 Mars, 2018

Në Korçë do të ndërtohet një termocentral i ri që do të punojë me gaz natyror. Vepra energjitike me fuqi 500 megavat/orë do të jetë tërësisht investim privat i një kompanie austriake.

Në periferi të qytetit të Korçës do të ndërtohet një termocentral me gaz. Ai do të ketë fuqi 500 megavat orë, dhe do të prodhojë energji elektrike dhe energji për ngrohje nga gazi natyror që do të kalojë në Shqipëri përmes projektit TAP.

Korça u përzgjodh si vendi i propozuar, ku mund të ndërtohet Centrali me gaz për ngrohje dhe prodhim energjie, pasi ardhja e gazit natyror në Shqipëri nëpërmjet TAP krijon një mundësi për të pasur burim të sigurtë dhe efikas të prodhimit të energjisë, të shkëputur nga kushtet e pasigurta hidrologjike.

Sipas studimit, përveç rritjes së ekonomisë lokale nga ndërtimi i serave, ky investim mund të sigurojë ngrohje efikase dhe të pastër për banorët e Korçës përmes një rrjeti të ngrohjes qendrore.

Investimi prej 500 milionë eurosh do të bëhet i plotë nga investitori privat, nje firme austriake.
Sipas njoftimit te Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë , TEC-i i ri i Korçës nuk do jetë kontratë koncesionare dhe nuk do të ketë asnjë ndikim në Buxhetin e Shtetit.

Sipas autoriteteve, projekti është në fazën e kërkesës për miratimin e lejeve, ndërsa bisedimet me konsorciumin e gazsjellësit TAP për të marrë lëndën e parë do të bëhen nga vetë investitori./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!