Pengu i Gaz Demit ishte largimi i Adolfo Sormanit, të cilin vendosi ta rikthejë në krye të Partizanit. Eksperienca e parë e italianit kishte bërë që kreu i të kuqve të dashurohej pas seriozitet të tij dhe fakti që punonte shumë. Gjithsesi këto nuk mjaftojnë.
Rezultate janë ato që të mbajnë në punë dhe Sormani tani është në rrezik. Pesë humbje radhazi, eliminim nga Kupa e Shqipëridsë prej Besëlidhjes së Kategorisë së Parë: kaq do mjaftonte për çdo trajner të Superiores të shkarkohej.
Gaz Demi me siguri tani po mendohet mirë. Mund të ketë qenë vendimi i parë i tij për një trajner dhe gjithçka po shkon si mos më këq, edhe pse ka ende edhe tetë ndeshje për t’u luajtur dhe shanset për të shkuar në Europë janë reale.
Sot Sormani nuk foli, pasi Kukësi i shënoi tre gola dhe e mposhti Partizanin e tij. “Ka dhimbje fyti, nuk mund të flasë”, është versioni i zyrtarëve të klubit të kuq, sipas “Supersport”. Me fjalët që i kanë mbaruar, ndoshta edhe ditët e tij te Partizani janë të fundit. /abcnews.al