Ftohja e rëndë dyshohet t’i ketë marrë jetën 13-vjeçares nga Puka

schedule18:01 - 28 Mars, 2018

schedule 18:01 - 28 Mars, 2018

Ftohja e rëndë, e kombinuar me asmë, dyshohet t’i ketë marrë jetën 13-vjeçares nga Puka. Megjithatë, mjekët po presin përgjigjen e analizave. Ndërkohë, bluzat e bardha thonë se në gjendje të rëndë ndodhet edhe motra e saj 11 vjeçe.

Një ditë pasi një vajze 13-vjeçare nga fshati Berishë i Epërm në Pukë ndërroi jetë, mjekët thonë se në gjendje të rëndë shëndetësore ndodhet edhe motra e saj.

11-vjeçarja u transportua pasditen e të martës me helikopter drejt Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë bashkë me dy vëllezërit 16 dhe 17 vjeç.

Ajo po mbahet në reanimacion, ku mjekët thonë se është me pneumoni të rëndë.

Ermira Kola: “Vajza vazhdon në gjendje të rëndë. Është me pneumoni masive të djathtë. Konform kësaj gjedje të rëndë i gjithë ekipi është aktivizuar që të suportojë në dinamikë në varësi të gjendjes. Simptomat janë kryesisht të lidhura me temperaturën, më një vështirësi të shprehur të frymëmarrjes dhe me disa elementë të lëkurës. Pneumonia e shoqëruar me detresë të rëndë respirator është një nga shkaqet kryesore që shpesh shoqërohet edhe me vdekje”.

Dy vëllezërit 16 dhe 17 vjeç të shtruar në spitalin infektiv, sipas mjekëve, nuk paraqesin probleme.

Mjekët përjashtojnë prekjen nga fruthi dhe ndërkohë presin përgjigjen e analizave që po kryhen nga Instituti i Shëndetit Publik.

Nuk dihen ende shkaqet e vdekjes së 13-vjeçares.

Specialistët dyshojnë për një ftohje të rëndë të kombinuar me azmë megjithatë analizat do të qartësojnë situatën./abcnews.al