Trajneri i Shqipërisë Rolando Maran, ka dalë në konferencën për shtyp në prag të sfidës ndaj Bjellorusisë, ku ka folur për gjendjen e skuadrës, objektivin për këtë takim dhe mundësinë e aktivizimit të Ernest Muçit.
Tekniku italian ka bërë të ditur se për Muçin do të merret një vendim ditën e nesërme, pasi futbollisti nuk është stërvitur në seancën e sotme dhe gjendja e tij fizike mbetet për t’u vlerësuar.
Maran e ka cilësuar Bjellorusinë si kundërshtarin që i ka krijuar më shumë vështirësi Shqipërisë në këtë grup, duke paralajmëruar një përballje të vështirë. Megjithatë, ai ka theksuar se kuqezinjtë janë të përgatitur dhe të vendosur për të marrë rezultatin e dëshiruar.
Shqipëria synon të bëjë një tjetër paraqitje pozitive përballë Bjellorusisë, me objektivin e qartë për të siguruar tri pikët.
“Sa i përket muçit, ai nuk është stërvitur ditën e sotme dhe mbetet për t’u vlerësuar nesër gjendja e tij. Është kundërshtari që na ka lodhur më tepër në këtë grup. Është skuadër e mirë, do jetë një detyrë e vështirë për tu përballur kundër tyre, por ne jemi gati dhe jemi të vendosur. Kemi krijuar një identitete si skuadër dhe djemtë janë gati për të dhënë maksimumin për të marrë rezultatin që na duhet. Futemi në fushë me një mentalitet për të dhënë më shumë sesa ndeshjen fundit , në mënyrë që të marrim rezultatin që duam”, tha ai.
Kuqezinjtë do të përballen me Bjellorusinë, në transfertë, në ndeshjen e fundit të Grupit C1, e programuar për të dielën, më 15 nëntor.
Takimi do të zhvillohet në orën 18:00, në stadiumin Illovszky Rudolf të Budapestit, në Hungari. Edhe pse Bjellorusia është skuadra pritëse, ndeshja do të luhet në fushë neutrale dhe pa praninë e tifozëve, për shkak të sanksioneve të UEFA-s.
Shqipëria është kryesuese e grupit C1 në Ligën e Kombeve, me 12 pikëm kurse Bjellorusia ndjek në vendin e dytë me 10 pikë.
Kombëtares Shqiptare i mjafton një barazim për të siguruar vendin e parë dhe ngjitjen në Ligën B, pasi kjo është ndeshja e fundit e grupit.


