Opozita parlamentare: Integrimi europian shpëtim për popullin

schedule18:42 - 26 Mars, 2018

schedule 18:42 - 26 Mars, 2018

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike dhe ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë zhvilluar një mbledhje të përbashkët në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, përmes së cilës, shefi i opozitës, Lulzim Basha, shprehu bindjen se negociatat për anëtarësim duhet të hapen, por jo kjo falë meritokracisë së këtij narko-shteti.

Takimi i përbashkët i grupeve parlamentare PD-LSI , i pari në ambientet e Kuvendit, u paralajmërua të jetë periodik nga vetë kreu i opozitës, Lulzim Basha. Shqetësimin e përbashkët e lidhi drejtpërdrejt me sfondin e sallës, që priste edhe mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, një orë më vonë.

Lulzim Basha: “Kërcënimit që po i vjen integrimit europian të vendit. Anëtarësimin në Bashkimin Europian të vendit, hapjes së negociatave për shkak të mospërmbushjes së kushteve të vendosura nga Komisioni Europian dhe nga vendet anëtare. Kushte, të cilat nuk po përmbushen si rezultat i rekordeve kriminale dhe korruptive të mazhorancës që ishte mbledhur këtu para dy orëve. Ne kërkojmë hapjen e negociatave”.

Nëse në bazë qëndron meritokracia, Shqipëria nuk i çel negociatat, por kjo dënon qytetarin e thjeshtë, theksoi Basha.

Lulzim Basha: “Moshapja e negociatave do të ndihmojë klikën në pushtet, të konsolidojë pushtetin e krimit, t’i shpëtojë rekordeve të tmerrshme të korrupsionit, të devijojë reformën në drejtësi dhe të kapë organet e drejtësisë. Të shkatërrojë plotësisht ekonominë shqiptare duke e kthyer atë në një ekonomi të drogës. Dhe po kështu të shkatërrojë të gjithë investimet e BE-së dhe partnerëve tanë strategjik, SHBA-në”.

Të vetmit të painteresuar ndaj këtij integrimi janë ata, të cilët i tremben përfundimit të saj, tha kryedemokrati, i cili i listoi ata nominalisht.

Lulzim Basha: “Edi Rama përpiqet nga mëngjesi deri në darkë t’i shpëtojë ata. Vazhdon të ushtrojë presion të jashtëzakonshëm për të ndalur, sabotuar apo devijuar hetimet ndaj Sajmir Tahirit. Vazhdon të ushtrojë presion të jashtëzakonshëm për të mos nisur hetimin ndaj Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit, Damian Gjiknurit”.

Axhenda e kryeministrit është e qartë sipas tij, kontrolli i Parlamentit, gjyqësorit, ekonomisë dhe medias.

Lulzim Basha: “Në funksion të kësaj axhende Edi Rama ka gënjyer BE-në në selinë e tij, në Bruksel. Ku u shpreh se si rezultat i Vetting-ut janë larguar 17 gjyqtarë dhe prokurorë. Pas informacionit të marrë zyrtarisht nga opozita rezulton se vetëm gjashtë të tillë janë larguar si rezultat i procesit të Vetting-ut. Të tjerët kanë dalë në pension ose u ka mbaruar mandati. Dhe ky është shqetësimi ynë i dytë kryesor, mos zbatimi i reformës në drejtësi”.

Nuk mund të ketë vlerësim pozitiv për kushtin europian të luftës kundër krimit të organizuar dhe drogës, për sa kohë Saimir Tahiri nuk vihet përpara drejtësisë theksoi Lulzim Basha.

Lulzim Basha: “Nuk mund të fshihet Edi rama siç u përpoq prapa Alket Hysenit. Alket Hyseni duhet të hetohet për aferën e tjetërsimit të mijëra metra katrorë bregdet, po është Edi Rama, ai që ka firmosur një leje të kundraligjshme mbi këtë trruall. Jo vetëm të kundraligjshm, por në thyerje të vendimit të Gjykatës”.

Kreu i opozitës iu referua zbardhjes në media të kërkesës gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist të Taulant Ballës ndaj deputetit Alket Hyseni për sqarim të situatës së këtij të fundit pas akuzave të demokratëve.

Lulzim Basha: “Me Edi Ramën Shqipëria prodhon dhe eksporton vetëm krim, drogë dhe emigrantë. Ky është gogoli që tremb Europën dhe jo përrallat që tregon Edi Rama”.

Si hap të rëndësishëm për daljen nga kjo krizë, artikuluar në formë thirrje ndaj unionit europian, fronti opozitar shehhapjen e negociatave për Shqipërinë.

Një plan konkret veprimi për luftën kundër krimit të organizuar dhe drogës, vënia përpara përgjegjësive e peshqve të mëdhenj, reformën në drejtësi dhe çlirimin e ekonomisë në vend si alternativë për shqiptarët është axhenda publike e opozitës parlamentare, theksoi Lulzim Basha./abcnews.al