Përgjegjësi organizativ i Akademisë Vllaznia, Qashif Hoxha, hedh poshtë deklarimet e administratorit Suad Lici se ka fryrje te organigrames se akademisë. Në një intervistë të tij për mediat, Hoxha u shpreh se faji i hedhur ndër vite tek akademia e Vllaznisë, është i pajustifikueshëm, pasi sipas tij, kjo është e padrejtë dhe një keqadministrim i klubit nga drejtuesit.
“Nuk më vjen mirë që temë e kësaj mbledhje është bërë akademia si pikë e vëmendjes. Kjo për faktin që askush nuk mund të mbulojë keqadministrimin disa vjeçar të klubit Vllaznia, duke hedhur fajin tek akademia. Nëse ka një institucion që kjo bashki mund të krenohet, është akademia me gjithë ato trofe të fituara çdo vit. Kur Vllaznia është e përpëlitur dhe ka rënë edhe një kategori më poshtë, akademia ka mbushur muzeun me kupa e medalje të fituara.
Akademia nuk ka drejtor, ka vetëm përgjegjës administrativ dhe përgjegjës teknik. Përgjegjësi nuk ka asnjë detyrë ekzekutive. Merret me anën organizative dhe mundohet të mbledhë 100 për qind paratë nga prindërit. Veprimi i parë që kam bërë që në 2013, është që pagesa për stërvitjen të kryhet në bankë për SH.A Vllaznia. Kjo është diçka që njerëzit duhet ta dinë. Në zyrën e financës dërgojmë listë-pagesat dhe mandatet, të firmosura nga unë dhe nga trajnerët. Dokumentacioni është aty dhe mund të shikohet.
Në lidhje me pretendimet se akademia është e fryrë, po ju them se janë 13 trajnerë për 9 skuadra, një përgjegjës administrativ dhe një përgjegjës teknik. Nuk e di ku është fryrja këtu. Edhe mund të ketë shkurtime, por kemi tre ekipe në Superligë. Ekipet nga U9 në U11 stërviten me një trajner. Më vjen keq që edhe disa këshilltar janë fokusuar te akademia.
Çështja e uniformave? Flas me përgjegjësi të plotë, që akademia e futbollit Vllaznia ka marrë investime minimale, për të mos thënë asnjë për bazën materiale, ku futen kostumet sportive, topat e të tjera. Gjatë këtyre 6 viteve mund të kenë marrë dy herë kostume sportive, për ndeshjet. Pa diskutim që kanë paguar prindërit për uniformat. Prej tre vitesh FSHF na furnizon me topa. Trajnerët që kemi e kanë të vetmen punë dhe prej dhjetorit nuk janë paguar.
Nuk kemi bërë zhurmë, siç bëjnë futbollistët. Pagat tona janë 300 mijë deri në 500 mijë lekë. Kurrë nuk kam marrë një ftesë nga Këshilli Bashkiak që të paraqitem. Do e kisha krenari të shkoja aty dhe do u tregoja trofetë dhe faktin që asnjë ankesë nuk ka nga prindërit për veprime korruptive. Stërviten 10 skuadra në një fushë futbolli, me rroga të marra një herë në pesë muaj, e sipas informacioneve edhe me sigurime të papaguara në 3 vitet e fundit. Në asnjë mbledhje nuk jam thirrur, as nga administratori, as nga askush tjetër”, u shpreh Hoxha./abcnews.al