PD,dokumente për grabitjen e pronës në Dhërmi nga Alket Hyseni

schedule15:26 - 25 Mars, 2018

schedule 15:26 - 25 Mars, 2018

Partia Demokratike publikoi sot dokumenta lidhur me akuzat e saj në adresë të deputetit socialist Alket Hyseni. Demokrati Enkelejd Alibeaj tha se këto dokumenta faktojnë jo vetëm përfshirjen e Hysenit në grabitjen e pronave në bregdet, por sipas tij, në krye të kësaj skeme qëndron kryeministri Rama

Demokratët kanë dalë në një konkluzion pas dyshimeve të ngritura se deputeti Alket Hyseni ka grabitur një pronë në Dhërmi.“Dokumentat e lejes zhvillimore dhe të ndërtimit në pronën e grabitur prej Alket Hysenit, në shkelje të vendimit të Gjykatës, provojnë se Edi Rama është në krye të skemës mafioze për grabitjen e tokave në bregdet”.

 Sipas deputetit Alibeaj Partia Demokratike ka në dorë dokumenta që provojnë se Edi Rama është pjesë e skemës për grabitjen e tokave në bregdet, në rastin konkret të grabitjes së pronës së familjes Bua në Dhërmi.​

 “Le t’i rendisim faktet me radhë.

 I emëruar në detyrën e kryetarit të Task Forcës për të evidentuar tjetërsimin e pronave në bregdetin e Jugut nga Vlora në Butrint, Alket Hyseni ka blerë për 230 milionë lekë pronën e tjetërsuar me dokumenta të fallsifikuar, duke e ditur se prona ishte në proces gjyqësor.

 Dokumenti vërteton se në vitin 2015 Gjykata e Vlorës i dha të drejtë familjës së  zonjës Irini Bua duke vendosur pezullimin e çdo veprimi mbi pronën, vendim ky që është akoma në fuqi.

 Por pavarësisht këtij vendimi Gjykate, në shtetin mafioz të Edi Ramës transaksionet me pronën në bregdet kanë vazhduar nga fallsifikuesi tek Alket Hyseni, pastaj tek ndërtuesi Gon Papuli, që është një nga miqtë e ngushtë të kryeministrit, për të shkuar më pas deri tek vetë Edi Rama”.

Sipas Partisë Demokratike Edi Rama, me firmën e tij, ka vendosur dy herë rresht që, në tokat në bregdet të familjes Bua, në Dhërmi, të ndërtohet resort turistik, duke mos marrë parasysh vendimin e Gjykatës për pezullimin e çdo veprimi me pronën.

Dokumenti i parë tregon se Edi Rama, si Kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit, ka firmosur lejen për zhvillimin e kompleksit turistik dhe një vit më pas ka firmosur sërish, për dhënien e lejes së ndërtimit në këtë kompleks për mikun e tij ndërtues Gon Papuli dhe për deputetin e tij, Alket Hyseni deklaron Alibeaj.

 “Peshk më të madh se kaq drejtësia nuk ka ku të gjejë dhe është rasti ideal për t’u dhënë shqiptarëve shpresën reale për një drejtësi jopolitike, që punon për qytetarët dhe jo për pushtetarët”. /abcnews.al