Një 59-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e koronavirusit pasditen e së hënës në Kosovë. Pacienti i cili humbi jetën ndodhej në Klinikën Infektive.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka njoftuar se sot në orët e pasdites, pacienti A.H. nga komuna e Prizrenit, i diagnostikuar me COVID-19, përkundër përkujdesjes maksimale të personalit mjekësor ka ndërruar jetë.
“I njëjti po trajtohej prej ditësh në Mjekimin intensiv të Klinikës Infektive dhe kishte edhe sëmundje tjetër shoqëruese”, thuhet në njoftim.
Deri tani në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 13.262 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.032 raste.
Në total, numri i viktimave në Kosovë është 30 ndërsa njoftohet se shumë prej atyrë që kanë humbur jetën kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. /abcnews.al/

