Bruksel, Thaçi: Demarkacioni hapi i fundit për liberalizimin e vizave

schedule14:37 - 23 Mars, 2018

schedule 14:37 - 23 Mars, 2018

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe eurokomisioneri, Johannes Hahn, janë dakordësuar se demarkacioni ishte hapi i fundit që Prishtina duhej të përmbushte për liberalizimin e vizave. Ndërkohë në Bruksel, Thaçi takohet sot dhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar në Bruksel me eurokomisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johannes Hahn. Pas bisedës, ata shpërndanë mesazhe në Twitter. Duke vlerësuar pozitivisht takimin, Hahn shkruan se “ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi është arritje thelbësore për liberalizimin e vizave”.

“Presidenti konfirmoi vazhdimin e përpjekjeve të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar. Kjo është mënyra më e mirë dhe më e shpejtë për liberalizimin e vizave”, thekson zyrtari i Brukselit.

Ndërsa Thaçi shkruan se Kosova ndërmori një hap të madh drejt integrimit në BE.

“Ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi ishte kushti i fundit për liberalizimin e vizave dhe një provë e kontributit të Kosovës për progresin dhe stabilitetin në rajon”, nënvizon ai.

Ndërkohë, Presidenti i Kosovës nuk ndodhet në Bruksel vetëm për takimin me Hahn. Pas diskutimeve në nivelin teknik, sot do të vazhdojë dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit edhe në nivelin e lartë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiç, pritet të takohen në Bruksel.

Mediat e Prishtinës raportojnë se dy krerët e shteteve respektive do të bisedojnë për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese që janë arritur, dhe mënyrat se si të arrihet një zgjidhje finale mes dy vendeve. Takimi do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!