Lebron Xhejms e Duajt Hauard, yjet e mëdhenj në NBA

schedule16:13 - 22 Mars, 2018

schedule 16:13 - 22 Mars, 2018

Lebron Xhejms dhe Duajt Hauard ishin heronjtë e mbrëmjes së fundit në basketbollin amerikan. Ata vendosën një rekord dhe treguan një nivel shumë të lartë.

Kur përfundoi beteja mes Klivlendit dhe Torontos, hodhi sytë tek tabela e statistikave.
Sipas zakonit, Lebron Xhejms shikoi në fillim për numrin e topave të humbur nga skuadra e tij, dhe pastaj për topat e humbur nga ai vetë.
Dalloi numrin 8 tek skuadra, dhe numrin 0 personal.

Pra, ai nuk kishte humbur asnjë top në një ndeshje të ashpër që përfundoi 132-129, dhe kjo gjë padyshim që kishte qenë vendimtare për një fitore tepër të vështirë, dhe tepër të rëndësishme.

Jo vetëm kaq, pasi Lebron shënoi 35 pikë dhe shërbeu 17 asistë në përballjen me kanadezët.
Asnjë lojtar nuk ia kishte dalë që nga viti 1977 (kur NBA nisi të llogariste topat e humbur) që të shënonte 35 pikë, të jepte 17 asiste dhe të mos humbiste asnjë top.

Besohet se këtë mund ta ketë bërë, në të kaluarën, vetëm Oskar Robertson, në një nga 5 ndeshjet në të cilat shënoi të paktën 35 pikë dhe kapi të paktën 17 asistë.

Edhe më shumë sesa rekordi personal, për Xhejmsin ishte me rëndësi fitorja, pasi u arrit ndaj një rivali direkt për finalen e Konferencës.
Toronto kryeson në Lindje dhe duket se nuk do ta humbasë vendin e parë, ndërsa Klivlend vështirë të ngjitet më lart se vendi i tretë, ndaj një sukses i tillë jep moral.

Të mos harrojmë se në janar, Toronto e mundi Klivlendin 133-99!
Përveç Lebronit, ishte edhe një yll tjetër që shkëlqeu fort.

Duajt Hauard jo vetëm ndihmoi ekipin e tij, Sharlotën, që të fitonte një përballje shumë të vështirë, por edhe bëri diçka që nuk ndodh shpesh në NBA.

Ai ishte lojtari më i mirë i takimit me 32 pikë dhe me 30 topa të kapur në tabela.
Kishte 8 vjet që kjo nuk ishte parë në basketbollin amerikan, që kur Kevin Lov shënoi 31 pikë dhe kapi 31 topa në tabela, ndërsa luante për Minesotën.

Që nga 1973-shi, pra prej 45 vjetësh, vetëm pesë lojtarë ia kanë dalë kësaj dhe këta janë Elvin Hajes, Suin Nejtër, Mozes Malouni, si dhe Kevin Lov e Duajt Hauard.

Me ndihmën e Hauardit, Sharlota tejkaloi deficitin prej 23 pikësh për të triumfuar 115-105 ndaj Bruklin Netsit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!