Në zonën e Nënshkodrës nuk ka asnjë përmirësim. Madje gjatë ditës së sotme po fryn një erë e fuqishme saqë nuk lejon as varkat apo gomonet të lëvizin në ujë.
Në rrugën e Dajçit po shkojnë gomone të tjera. Por era e fortë këtë të enjte nuk ka lejuar lundrimin.
Situata në zonën e përmbytjeve në Shkodër vazhdon të jetë e renduar, ndaj Ministria e Mbrojtjes ka shtuar forcat operacionale dhe mjetet në ndihmë të banorëve.
Siç raporton Bashkia, gjatë natës janë rrëzuar disa shtylla elektrike, për shkak se prej ditësh janë të mbuluara nga uji dhe për rrjedhojë fshatra të tëra janë pa energji elektrike.
Ndërkohë, siperfaqja e përmbytur vazhon të jetë rreth pesë mijë hektarë tokë dhe 400 shtëpitë janë të rrethuara nga uji.
Në Dajç kërkohet të ndërhyhet për lartësimin e argjinaturës së Pentarit, Shirqit dhe Darragjatit.
Por nga raportimi i Ministrisë së Mbrojtjes vetëm gjatë natës janë vendosur mbi 2 mijë thasë me rërë në argjinaturën e Pentarit.
Rruget Shirq-Darragjat, Belaj-Pentar, Bishti i Qarrit dhe Urrela janë të bllokuara. Në disa shkolla, në ambientet e brendshme ka prezencë uji.
Kurse në qytetin e Shkodrës në zonën e Livadheve ndodhen mbi 70 shtëpi me prezencë uji afër oborreve të tyre.
Në Anën e Malit, ujësjellësat janë jashtë funksionit dhe banorët kanë nevoja urgjente për furnizimin me ujë të pijshëm.
Një lagje në Obot është plotësisht e bllokuar. Në Bërdicë gjithashtu jane shtuar problemet. Në rrugën nacionale ka dalë uji dhe kërkohet ndërhyrje. Situatë ka edhe në Gur të Zi dhe në Velipojë.
Me shumë vështirësi kalohet dhe me makinë ushtrie, ndërsa në disa zona, kalimi bëhet i mundur vetëm me varkë./abcnews.al