Xhevahir Sukaj ka gjithmonë gjëra për të thënë. Sulmuesi shkodran është pjesë e Flamurtarit prej janarit të vitit të kaluar. Kuqezinjtë do të luajnë në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm dhe 32-vjeçari do të jetë i fundit që do të largohet nga Vlora.
Këtë premtim e bën në lidhjen direkte në “Fan Zone” në Supersport, aty ku ndalet edhe te Partizani, skuadër me të cilën ka mbetur shumë i lidhur. Në fund pengjet, që janë dy dhe goleadori i njohur nuk ndihet aspak mirë kur i kujton.
SHËNDOSHJA – “Starova na e bëri legjendë këtë çështjen e barkut. Jemi shëndoshur pak, pasi jemi ekipi i vetëm që kemi respektuar rregullat. Na e ka kërkuar klubi t’i respektojmë me çdo kusht rregullat”.
SITUATA – “Te Flamurtari situata nuk ka qenë asnjëherë e mirë, për faktin se e nisëm keq. Ka pasur probleme me pagesat. Mungesa e kualitetit në ekip ka treguar se jemi për të ardhur keq. I kemi respektuar të gjitha ndeshjet, pavarësisht se kush ekip ishte përballë. Pikërisht për këtë duhet të vlerësohemi, pasi një ekip tjetër nuk do e respektonte kampionatin në këtë gjendje”.
FLAMURTARI – “Këtu më mori Batha, u bë ai shkak që unë kalova këtu. E përjetova shumë keq rënien e Vllaznisë. Kur shkova te Flamurtari, ishte për të mos thënë ekipi më i mirë në Shqipëri. Nëse nuk do kishte probleme me pagesat dhe largimet e lojtarëve, vitin e kaluar mund të ishim kampionë. Presidenti i klubit kërkon ligjin e sportit, pasi çdo gjë e ka nxjerrë nga xhepi i familjes së tij”.
TËRHEQJA – “Nuk e kam menduar largimin nga futbolli dhe çfarë do të bëj pas tërheqjes. Në disa ekipe mendoj se kemi lënë shije të mira dhe e kemi derën të hapur. Unë kam treguar se nuk e braktis diçka që e nis, unë do jem i fundit që do e lë Flamurtarin. Ta mendoj se çfarëdo të ndodhë me të ardhmen, nuk mund ta them një përgjigje tani”.
PARTIZANI – “Partizani kur luaja unë, pa diskutim që ka qenë më i mirë se ky tani. 2015 dhe 2017 kanë qenë vitet më të mira, por Skënderbeu në ato vite ka qenë absolut shumë lart. Partizani është një nga klubet më të paguara në Shqipëri dhe nuk e kuptoj pse janë në këtë gjendje”.
PENGJET – “Nëse më ka ngelur një pishman në futboll, është që nuk jam aktivizuar me kombëtaren. Jam grumbulluar që 17 vjeç. Në kohën kur isha unë në kombëtare, kanë qenë disa lojtarë shumë të mirë. Kur isha në Iran dhe isha në super formë, nuk u ftova nga De Biasi, e kam pishman shumë të madh. Ka pasur lojtarë të tjerë që nuk e kanë merituar dhe kanë luajtur. Kam pengun edhe të rrëzimit të Vllaznisë, por klubi u rrëzua nga rrethana të tjera”.
KAMPIONATI – “Më e mira ishte të ndodhte kështu dhe të rikthehej kampionati, pasi gjithçka të vendoset në fushë. Disa ekipe kanë bërë stërvitje që nga koha kur gjithçka është pezulluar dhe do jenë në super formë. Partizani doli kampion vjet, pa kaluar një periudhë krize. Tirana nuk është ekip më i mirë se Kukësi dhe Partizani, por e kanë favorizuar rezultatet në ndeshjet e fundit, titullin e ka të siguruar”. /abcnews.al