Egbo: Më çuditi diçka nga Bundesliga, e vështirë të kapim formën që kishim

schedule17:36 - 19 Maj, 2020

schedule 17:36 - 19 Maj, 2020

Puna fantastike e zhvilluar në stol duhet finalizuar me titullin kampion. Trofeu i madh mungon prej vitit 2009 në Tiranën bardheblu dhe Emmanuel Egbo beson fort të triumfi në një bisedë për mediet.

Superiorja do të nisë me 3 qershor dhe trajneri i Tiranës, që dje u rikthye të bëjë stërvitje kolektive dhe kryeson me 9 pikë më shumë se ndjekësit, është përqendruar te rikthimi i skuadrës në formë.

STËRVITJA – “Më në fund kthehemi në fushë. Është një çlirim për të gjithë futbollistët e kampionatit dhe Tiranës. Ka filluar zyrtarisht stërvitja dhe kampionati. Lojtarët janë stërvitur individualisht, por kemi nisur stërvitjen zyrtare, ashtu siç kemi punuar para nisjes së kampionatit. Mendoj se është një ndjesi e mirë për të gjithë, sepse po kthehemi në punë për të bërë atë që dimë të bëjmë më mirë”.

PLANI – “Nuk ekziston asnjë plan që mund të arrijmë atë që duam, pra të çojmë futbollistët në nivelin që i kishim para mbylljes së marsit. Pashë edhe statistikat e Bundesligës ditën e shtunë. Nga gjashtë ndeshje ishin dëmtuar tetë lojtarë. Ata kanë një muaj e ca stërvitje dhe janë në këtë gjendje. Kemi edhe 13 ditë për t’u stërvitur, por kjo është jeta, këto janë kushtet për të gjithë. Do të bëjmë më të mirën e mundshme për të futur lojtarët në formën më të mirë të mundshme për vazhdimin e kampionatit”.

SITUATA – “Nuk kemi çfarë të bëjmë. Nuk mund ta ndryshojmë as botën dhe as koronavirusin. Do të bëjmë më të mirën, do të përshtatemi me kushtet që kemi. Do të bëjmë punën tonë dhe me ndihmën e Zotit do të arrijmë në rrugën e drejtë”.

RIFILLIMI I KAMPIONATIT – “Nuk është vetëm çështja e vendimit tonë. Nëse edhe shumica e klubeve kanë dhënë mendimin e tyre, kjo nuk ka rëndësi. Fundja çfarë rëndësie ka tani, që jemi duke filluar kampionatin. Dyshimi është mbyllur, tani mendja jonë edhe te përgatitja e skuadrës”.

TIRANA – “Do të jetë e vështirë të jemi në formën që kishim, por të shohim. Duhet të kontrollojmë sa është forma e lojtarëve, 50-60 për qind. Po kontrollojmë me kujdes lojtarët. Tani do të shohim se si sillen në grup”.

E ARDHMJA – “Të mbarojë njëherë sezoni dhe pastaj është radha e kësaj historie. Ju e dini që unë mendoj për atë që kemi përpara. Të fillojmë dhe mbarojmë kampionatin, më pas të mendojmë për sezonin e ri. Gjithsesi, është kënaqësi që Halili më ka konfirmuar. Tirana është klubi me të cilin kam debutuar në Shqipëri. Do të bëhet ajo që ka vendosur Zoti, gjërat e mira bëhen gjithmonë bashkë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!