Kreu i LSDM-së Zoran Zaev ritheksoi edhe njëherë se data eventuale për mbajtjen e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut duhet të jetë 21 qershori. Zaev hodhi poshte kundërshtimet e partisë më të madhe opozitare, VMRO-DPMNE, e cila kërkon shtyrje të zgjedhjeve, duke thënë se në vjeshtë pritet valë e re e koronavirusit.
Ai përmendi si argument zgjedhjet e pritshme në vendet fqinjë, në Serbi dhe Kroaci, dhe theksoi se në ndryshim nga këto dy shtete, Maqedonia e Veriut ka edhe një arsye më shumë për të mbajtur zgjedhje sa më shpejtë që është e mundur, sepse nuk ka parlament funksional. Zaev paralajmëroi se ka ende disa ditë kohë për të diskutuar, në të kundërtën hyjnë në fuqi procedurat ligjore dhe kushtetuese.
Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev ka paralajmëruar gjithashtu se asnjë parti nuk mund të bojkotojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pa marrë parasysh se kur do të mbahen ato.
“Fillimisht, nuk mundet të bojkotohen zgjedhjet nga askush, për shkak se të gjithë marrin pjesë në zgjedhje . Të gjithë kanë shprehur vullnetin për të marrë pjesë në zgjedhje. Kanë parashtruar listat e kandidatëve, kandidatët kanë mbushur deklarata në noteri, u morën vendime nga organet e partive politike, KSHZ-ja i pranoi listat, pas kësaj përfundoi edhe tërheqja e shortit, të gjithë kandidatët tashmë e dimë edhe numrin e vendvotimit, zgjedhjet janë përcaktuar. Bëhet fjalë për bojkotim eventual të fushatës zgjedhore, por nuk e duam as këtë, duam që të gjithë të marrin pjesë”, tha Zaev./abcnews.al