Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se përfshirja e Rusisë në bisedimet Kosovë-Serbi është hap prapa. Në fjalën e saj për mediat Osmani ka theksuar se nëse kthehet formati i trojkës, ku Rusia ka pasur zë e rol aq sa ka pasur si para pavarësisë atëherë kthehemi prapa edhe politikisht, jo vetëm në çështje teknike.
“Nuk e shoh aspak të nevojshme dhe aq më pak si ndihmesë përfshirjen e Rusisë në këtë proces”, tha ajo, duke rikujtuar se në vitin 2010 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara kur ka vendosur se si të procedohet me dialogun Kosovë-Serbi ka përjashtuar një format ku edhe Rusia do të merrte pjesë, si formati i trojkës në vitin 2007.
Kryeparlementarja Osmani më tej shtoi se Serbia akoma qëndron vetëm me sy kah Evropa, por mendjen, zemrën dhe veprimet i ka të koordinuar me Rusinë.
Ajo tha se BE-ja duhet ta trajtojë me seriozitet këtë çështje, sidomos çështjen e armatimit./abcnews.al