Jadon Sancho i ka bërë të gjithë për vete. Ylli anglez po zhvillon një tjetër sezon fantastik me Borussia Dortmund. Ai është golashënuesi më i mirë i skuadrës me 14 gola të shënuar në kampionat, teksa numëron edhe 15 asiste të dhuruara.
Manchester United e ndjek prej kohësh dhe shihet si klubi favorit për të siguruar shërbimet e 20-vjeçarit. Drejt kalimit në “Old Trafford” e shtyn edhe Owen Heargreavs, ish-mesfushori i njohur i Bayern Munchen dhe Manchester United.
“Jadon e ka të qartë stilin e lojës që luan dhe do të marrë vendimin më të mirë për veten e tij. United ka një grup shumë të mirë me lojtarë të rinj dhe çdo lojtar i ri do të donte të luante me këtë skuadër“, deklaron anglezi për BT Sport.
Ai vazhdon edhe më tej, duke parashikuar ditë të arta për anësorin e djathtë ofensiv të Dortmundit. “Liverpool dhe City janë shkëputur, por gjithçka është me cikle. United do të rikthehet dhe blerja e një lojtari si Sancho do i ndihmojë shumë.
E di që ky lojtar kushton shumë, por bëhet fjalë për një lojtar unik me potencial për të bërë mirë për dekadën e ardhshme. Ai mund të fitojë Topin e Artë, e ka potencialin për t’ia dalë. Pashë ndeshjen Dortmund-PSG dhe Sancho ishte më i miri në fushë, luajti më mirë se Neymar apo Mbappe“, thekson Heargreavs. /abcnews.al